Album homazh për Shane MacGowan me pjesëmarrjen e emrave të mëdhenj të muzikës
Një numër i madh artistësh të njohur të muzikës kanë bashkuar forcat për të regjistruar një album homazh për këngëtarin dhe autorin irlandez Shane MacGowan, ish-lider singer i grupit “The Pogues”, sipas BBC.
Albumi, i titulluar “20th Century Paddy, The Songs of Shane MacGowan” do të publikohet në nëntor.
Publikimi shoqërohet me këngën e parë nga albumi, një version i këngës “A Rainy Night in Soho” i interpretuar nga Bruce Springsteen. Në një ese që shoqëron projektin, Springsteen e përshkroi shkrimin e këngëve të MacGowan si “të papërpunuar, humoristik, pa kërkuar falje dhe thellësisht domethënës”.
Albumi përfshin gjithashtu një duet mes Hozier dhe Jessie Buckley, si edhe interpretime nga artistë të njohur si Tom Waits, Primal Scream, Steve Earle dhe David Gray. Në projekt marrin pjesë gjithashtu aktori Johnny Depp dhe këngëtarja Imelda May.
MacGowan ndërroi jetë në nëntor të vitit 2023 në moshën 65-vjeçare, pas një periudhe të gjatë problemesh shëndetësore. Ai la pas një repertor të veçantë këngësh që përshkruanin jetën e emigrantëve irlandezë të klasës punëtore, duke ndërthurur histori dashurie me referenca nga letërsia, mitologjia dhe Bibla.
Në kujtimet e tij, Springsteen tregoi se e kishte vizituar MacGowan në shtëpinë e tij në Irlandë pak para se të ndërronte jetë, duke e përshkruar si një artist të rrallë dhe rebel natyror, në traditën e figurave legjendare si Woody Guthrie, Hank Williams, Miles Davis, Aretha Franklin dhe Bob Dylan.
Gjysma e të ardhurave nga honoraret e artistëve të albumit do t’i dhurohen organizatës bamirëse Dublin Simon Community, e cila ndihmon njerëzit e pastrehë në Dublin. Sipas drejtuesve të saj, MacGowan ishte i njohur për empatinë ndaj personave që jetonin në rrugë dhe shpesh ndalej për të biseduar me ta.

