Shakira e emocionuar për nominimin në Rock & Roll Hall of Fame: Po realizohen ëndrrat e mia

Këngëtarja kolumbiane Shakira ka reaguar me entuziazëm pas nominimit të saj të parë për në Rock & Roll Hall of Fame, duke e cilësuar këtë moment si një arritje të jashtëzakonshme në karrierën e saj artistike.

Në një intervistë për Associated Press, fituesja e çmimeve Grammy Awards u shpreh se ndihet shumë e emocionuar dhe se nominimi i duket disi surreal. “Është e pabesueshme të jem e nominuar për Rock & Roll Hall of Fame. Ndihem shumë e lumtur dhe e nderuar”, tha ajo.

Artistja theksoi gjithashtu se gjatë karrierës së saj ka eksperimentuar me zhanre të ndryshme muzikore, por rrënjët e saj janë në muzikën rock. Sipas saj, disa nga albumet e saj janë të ndikuara fort nga ky stil, përfshirë Las Mujeres Ya No Lloran, Tiempo Sin Verte dhe Cómo Dónde y Cuándo.

Shakira shtoi se rock-u është një pjesë thelbësore e identitetit të saj artistik dhe se shumica e muzikës që dëgjon është nga ky zhanër. Ajo përmendi gjithashtu se është rritur duke u frymëzuar nga legjenda të rock-ut si The Rolling Stones, të cilët tashmë janë pjesë e këtij institucioni prestigjioz.

Këngëtarja 49-vjeçare theksoi edhe rëndësinë e këtij nominimi për komunitetin latin. Ajo u shpreh krenare që përfaqëson artistët nga Amerika Latine, duke shtuar se mund të jetë ndër rastet e para kur një artiste latine, e lindur dhe e rritur në Amerikën Latine, nominohet për këtë nderim të madh në botën e rock-ut.