Rikthime dhe emra të rinj në duelin për “JETË A VDEKJE”/ Kasmi “skanon” Kombëtaren: Ja si pritet të duket Shqipëria ndaj Polonisë
Kombëtarja shqiptare e futbollit përgatitet për një nga sfidat më vendimtare të viteve të fundit, përballjen teke të play-off-it kundër Polonisë në Varshavë.
Teksa sytë e gjithë opinionit sportiv janë drejtuar nga zgjedhjet e trajnerit Sylvinho, diskutimet fokusohen te forma e lojtarëve kyç, rikthimet e mundshme dhe surprizat që mund të vijnë në listën e të grumbulluarve.
Gazetari Andi Kasmi në një intervistë në emisionin “Sport Focus” në “Ora News” skanoi gjendjen fizike të lojtarëve që pritet të ftohen në këtë ndeshje.
Në repartin e sulmit, një emër spikat mbi të tjerët: Ernest Muçi. Sulmuesi po kalon një formë të jashtëzakonshme, duke shkëlqyer me gola dhe asiste si në kampionatin polak, ashtu edhe në kupë.
Fakti që ndeshja luhet në Varshavë, një qytet që ai e njeh mirë nga koha te Legia, konsiderohet një avantazh psikologjik. Grumbullimi i tij me kombëtaren, tashmë si lojtar i Trabzonsporit në Turqi, shihet si i sigurt, duke pasur parasysh nevojën për lojtarë në kulmin e formës së tyre.

Përveç Muçit, në sulm pritet të ketë një konkurrencë të fortë. Flitet për një rikthim të mundshëm të Taulant Seferit, i cili po kalon një sezon fantastik me 15 gola dhe 7 asiste për Bodrumsporin në ligën e dytë turke. Megjithatë, pozicioni i tij në krahun e majtë të sulmit kërcënohet seriozisht nga Arbër Hoxha. Sulmuesi i Dinamos së Zagrebit ka dhënë paraqitje mjaft pozitive dhe vlerësohet si favoriti për të startuar si titullar.
Nëse sulmi është plot me dilema, mbrojtja duket më e konsoliduar. Duke nisur nga porta, Thomas Strakosha është në formë të shkëlqyer me AEK-un e Athinës, duke dhënë siguri. Përpara tij, linja me katër pritet të përbëhet nga Elseid Hysaj, kapiteni Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Mario Mitaj. Gjithsesi, nuk përjashtohen surprizat. Përfliten dy emra të rinj që mund t’i shtohen prapavijës: Stavros Pilios, mbrojtës i majtë te AEK-u, dhe Bujar Lika, një qendërmbrojtës shtatlartë që luan në Poloni dhe mund të ofrojë alternativa shtesë.
Pavarësisht se Polonia mund të ketë emra më të mëdhenj, balanca mes dy skuadrave nuk shihet si shumë e theksuar. Lojtarët kuqezi janë profesionistë që luajnë në nivele të larta në Europë. Disavantazhi kryesor për Shqipërinë mbetet fakti që kjo është një ndeshje teke, jashtë fushe, ku vetëm fitorja vlen.
Nuk ka vend për barazim apo ndeshje kthimi. Kjo sfidë e tipit “gjithçka ose asgjë” mund të jetë një arsye për presion, por njëkohësisht edhe një mundësi për ekipin më pak favorit që të mobilizohet dhe të shkruajë një faqe historike në futbollin shqiptar.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GAZETARIN ANDI KASMI

