DY $ ORA PËR T’U SHTIRUR SI “MODELE”! Një grua nga Filipinet tregon për BBC se si punonte për ...

Prapa modeleve të njohura të Onlyfans, jo në pak raste qëndrojnë zonja që paguhen jo më shumë se 2 dollarë në orë për të çatuar me abonentët. Një prej tyre ka treguar se si funksionon puna të cilën e quan mashtrim.

Dy dollarë në orë për t'u shtirur si modele në platformën OnlyFans. Një grua nga Filipinet ka treguar për BBC se si e kryente punën e saj duke komunikuar me abonentët.

Platforma funksionon duke lidhur krijues të përmbajtjeve për të rritur me përdorues që paguajnë abonim për të parë materialet e tyre dhe për të biseduar online me ta.

Megjithatë, ndërsa disa modele të njohura mund të fitojnë shuma të mëdha parash, komunikimi me fansat shpesh kryhet nga persona të tjerë, të punësuar nga agjenci të jashtme.

Gruaja, e cila kërkoi të mbetet anonime për arsye sigurie, tha se kishte nisur këtë punë për të ndihmuar familjen gjatë një periudhe me të ardhura të ulëta.

Ajo punonte rreth tetë orë në ditë, pesë ditë në javë, duke u përpjekur të shiste foto dhe video në emër të modeles që përfaqësonte.

Në disa raste, ajo tregon se gjeneronte qindra dollarë gjatë një turni të vetëm.

Ndërkohë, krijuesit më të suksesshëm në platformë pretendojnë se fitojnë miliona dollarë në muaj.

DY $ ORA PËR T’U SHTIRUR SI “MODELE”! Një grua nga

E reja tregon se e dinte që puna do të përfshinte përmbajtje me natyrë seksuale, por gjithsesi komunikimet intime me përdoruesit shpesh ishin të pakëndshme.

Sipas saj, gjatë një ore duhej të bisedonte njëkohësisht me disa persona, duke bërë shpesh mesazhe me përmbajtje seksuale për të nxitur blerjen e materialeve.

Ajo shtoi se shumë nga përdoruesit dukeshin njerëz të vetmuar dhe shpesh silleshin mirë, gjë që e bënte situatën edhe më të trishtë, pasi ata besonin se po komunikonin me modelen e vërtetë.

“Teknikisht është si t’i mashtrosh,” tha ajo, duke shpjeguar se përdoruesve u dërgoheshin foto dhe video ndërsa qëllimi kryesor ishte vetëm realizimi i shitjes.

Përdorimi i këtyre punonjësve, të njohur si “chatters”, ka çuar edhe në procese gjyqësore ndaj OnlyFans dhe agjencive që i punësojnë, pasi disa përdorues e konsiderojnë praktikën mashtruese. Megjithatë, deri tani asnjë nga këto çështje nuk ka rezultuar me fitore në gjykatë.

Platforma OnlyFans, e cila sipas të dhënave gjeneroi rreth 7.2 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2024, nuk pranoi të komentojë për rastin, duke theksuar se marrëdhënia e saj kontraktuale është vetëm me krijuesit e përmbajtjes.