Dubai përdor stacionet inteligjente për të ushqyer macet e rrugës
Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe – ka lançuar një program të ri inovativ të quajtur “Ehsan Stations”, stacione inteligjente të ushqyerjes për mace të rrugës dhe kafshë të tjera, që funksionojnë përmes teknologjisë inteligjente artificiale (IA), me qëllim përmirësimin e mirëqenies së kafshëve dhe mbështetjen e shëndetit publik, sipas “National News”.
Ky program pilot, i zhvilluar nga Bashkia e Dubait – përfshin instalimin e 12 stacioneve inteligjente në pika kyçe të emirateve, përfshirë 10 në parqe publike dhe 2 në ambiente të menaxhuara nga organizata “Dubai Holding”.
Secili stacion është projektuar për të ushqyer macet e rrugës dhe kafshët e tjera, në mënyrë të kontrolluar, duke shpërndarë përmasa ushqimi të përcaktuara dhe duke mbledhur të dhëna mbi aktivitetin e kafshëve.
Si funksionojnë stacionet?
Stacionet ‘Ehsan’ përdorin sensorë inteligjentë dhe sisteme të fuqizuara nga IA-ja të cilat:
Identifikojnë kafshët e rrugës përpara se të shpërndajnë ushqim,
Mbledhin të dhëna mbi aktivitetin e tyre,
Nxisin një mënyrë më të organizuar dhe të qëndrueshme të ushqyerjes,
Dhe ndihmojnë në reduktimin e ushqyerjes së rastësishme, e cila mund të çojë në mjedise të ndotura apo probleme shëndetësore në zonat publike.
Zyrtarët e Bashkisë së Dubait kanë theksuar se ky program synon të krijojë një qasje më të përgjegjshme ndaj menaxhimit të popullsisë së kafshëve të rrugës, të mbrojë mirëqenien e tyre dhe të ruajë mjedisin urban.
Të gjitha stacionet janë të dizajnuara dhe të prodhuara në Emiratet e Bashkuara Arabe me teknologji të avancuar.
Programet ekzistuese dhe qëllimet e mëtejshme
Programi funksionon paralel me nisma të tjera të Bashkisë së Dubait si “Trap–Neuter–Return” (TNR) dhe “Trap–Neuter–Vaccinate–Return” (TNVR), ku kafshët kapen, vaksinohen dhe rikthehen në vendet e tyre origjinale, nëse paraqesin rrezik për komunitetin.
Disa prej tyre bëhen të adoptueshëm përmes faqes zyrtare të komunës.
Shefja e Agjencisë së Mjedisit, Shëndetit dhe Sigurisë në Bashkinë e Dubait, Dr. Naseem Mohammed Rafee, tha se ky program reflekton përkushtimin e Dubait për të promovuar vlerat humane dhe mirëqenien e kafshëve, duke mbështetur gjithashtu biodiversitetin dhe ruajtjen e hapësirave publike të pastra dhe të balancuara.
Programi “Ehsan Stations” është aktualisht në fazën pilot, ku do të testohet dhe vlerësohet performanca e saj përpara zgjerimit të mundshëm në mbarë qytetin.
Autoritetet synojnë të përdorin të dhënat e mbledhura për të zhvilluar më tej këtë nismë humane dhe teknologjike.

