“Më thanë nuk isha mjaftueshëm”/ Rachel Zegler rrëfen vështirësitë pas përzgjedhjes si Princesha e Borëbardhës
Aktorja amerikane Rachel Zegler ka treguar se nuk e kishte imagjinuar reagimin e madh që do të vinte pasi u zgjodh për rolin e princeshës në filmin Snow White.
Në një intervistë për Harper’s Bazaar, ajo tha se nëse do ta kishte ditur se sa shumë polemika do të shkaktonte përzgjedhja e saj, do ta kishte hedhur telefonin dhe do të ishte larguar nga rrjetet sociale.
“Po ta dija se çfarë reagimi do të vinte, do ta kisha hedhur telefonin,” tha aktorja.
Në vitin 2022 u njoftua se Rachel Zegler do të luante rolin kryesor në versionin live-action të Disney për “Snow White”. Megjithatë, vendimi shkaktoi kritika nga disa fansa.
Aktorja, e cila ka origjinë kolumbiane dhe polake, tha se gjatë asaj kohe dëgjonte komente kontradiktore.
“Më thoshin se nuk isha mjaftueshëm diçka për West Side Story dhe shumë diçka tjetër për Snow White,” tregoi ajo. Sipas saj, ishte një periudhë shumë e vështirë për ta përballuar në fillim të të njëzetave.
Zegler ka treguar më herët se për ta përballuar presionin dhe reagimet negative, iu drejtua terapisë dhe medikamenteve kundër ankthit. “Psikiatri im më ndihmoi të kaloj gjithçka,” tha ajo, duke shtuar se trajtimi ishte një “ndryshim i madh”, pasi në atë periudhë nuk po arrinte të funksiononte normalisht.
Pavarësisht kritikave, aktorja thekson se zgjedh të përqendrohet te pozitiviteti. “Unë zgjedh dritën, lumturinë dhe pozitivitetin. Besoj se ndonjëherë lumturia është një zgjedhje,” u shpreh ajo.

