Netanyahu: Rrëzimi i regjimit është në duart e popullit iranian, gjithçka varet prej tyre
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se përmbysja e regjimit në Iran është në duart e vetë popullit iranian. Deklaratat ai i bëri gjatë një vizite të zhvilluar natën vonë në Qendrën Kombëtare të Operacioneve të Emergjencave Shëndetësore.
Netanyahu theksoi se qëllimi i Izraelit është të bindë popullin iranian të heqë dorë nga ajo që ai e quajti “zgjedha e tiranisë”.
“Aspirata jonë është ta bëjmë popullin iranian të heqë dorë nga zgjedha e tiranisë. Rrëzimi i regjimit në Iran është në duart e popullit iranian. Në fund të fundit, gjithçka varet prej tyre”, u shpreh ai.
Kryeministri izraelit shtoi se veprimet e ndërmarra deri tani, sipas tij, po dobësojnë regjimin iranian dhe paralajmëroi se presioni do të vazhdojë.
“Përmes veprimeve që kemi ndërmarrë deri më tani, ne po e godasim fort regjimin, dhe dora jonë është ende e ngritur”, tha Netanyahu.
Ai theksoi gjithashtu se, nëse përpjekjet e Izraelit do të përkojnë me veprimet e popullit iranian, mund të arrihet një ndryshim i madh në vend.
“Nëse ia dalim mbanë së bashku me popullin iranian, mund të sjellim një fund përfundimtar dhe të hapim rrugën për ndryshim”, deklaroi ai.
Duke folur për situatën e sigurisë, Netanyahu nënvizoi se konflikti ka dy dimensione: ofensiv dhe mbrojtës.
“Një pjesë e madhe e kësaj lufte është në aspektin ofensiv, por një pjesë po aq e rëndësishme është mbrojtja. Mbrojtja fillon me vullnetin e popullit dhe forcën e qytetarëve”, përfundoi kryeministri izraelit.
