Hodhën b*mba artizanale pranë shtëpisë së kryebashkiakut të New York-ut, ngrihet akuzë për t*rrorizëm ndaj dy të rinjve

Dy burra janë akuzuar për vepra terrorizmi pasi policia tha se ata tentuan të kryenin një sulm me bombë gjatë një proteste pranë shtëpisë së kryebashkiakut të Nju Jorkut, një sulm që dyshohet se ishte frymëzuar nga grupi terrorist Islamic State (IS).

Të dyshuarit, 18-vjeçari Emir Balat dhe 19-vjeçari Ibrahim Kayumi, thuhet se u kanë thënë policëve se synonin që sulmi i së shtunës të ishte “edhe më i madh” se Boston Marathon bombing i vitit 2013, ku mbetën të vrarë tre persona.

Policia e Nju Jorkut thotë se dy të rinjtë u përpoqën të hidhnin në erë dy mjete shpërthyese pranë godinës ku banon kryebashkiaku Zohran Mamdani. Autoritetet gjetën edhe një bombë të tretë në makinën e tyre.

Ngjarja ndodhi gjatë një proteste kundër islamit. Asnjë nga eksplozivët nuk shpërtheu siç ishte planifikuar.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një nga të dyshuarit duke u arrestuar vetëm disa sekonda pasi ndezi një nga pajisjet shpërthyese, e cila nuk shpërtheu.

Hodhën b*mba artizanale pranë shtëpisë së

Komisionerja e policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, tha se dy të dyshuarit kanë pranuar se ishin frymëzuar nga IS dhe kishin parë video propagandistike të këtij grupi. Ajo shtoi se ata nuk kishin histori të mëparshme kriminale.

Ata përballen me disa akuza, përfshirë përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për IS-is dhe përdorim të një arme të shkatërrimit në masë.

“Patëm fat që pajisjet e përdorura këtë fundjavë nuk shkaktuan dëmin që mund të kishin shkaktuar,” tha Tisch në një konferencë për shtyp të hënën. “Por fati nuk është strategji. Pajisje të tilla mund të shkaktojnë dëme shkatërruese.”

Ajo tha gjithashtu se një nga të pandehurit, Balat, bëri disa deklarata për IS gjatë transportimit në stacionin e policisë, duke thënë: “Nëse nuk e bëja unë, dikush tjetër do të vijë dhe do ta bëjë.”

Më vonë, sipas saj, Balat deklaroi se shpresonte që sulmi të ishte “edhe më i madh se bombardimi i maratonës së Bostonit”, duke theksuar se ai sulm kishte shkaktuar “vetëm tre viktima”.

Sulmi i vitit 2013 ndodhi kur vrapuesit po kalonin vijën e finishit të maratonës së Bostonit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur qindra të tjerë, shumë prej të cilëve humbën gjymtyrë.

Gjatë paraqitjes së tyre të parë në gjykatë të hënën, të dy ishin me uniforma burgu dhe një gjykatës federal urdhëroi që ata të mbahen në paraburgim deri në seancën e radhës më 8 prill.

Pas seancës, avokati i Balat tha se klienti i tij është nxënës i vitit të fundit në shkollë të mesme, shtetas amerikan dhe pa arrestime të mëparshme, por ka “probleme të ndërlikuara” në jetën personale.

Sipas dokumenteve të gjykatës, të dy hoqën dorë nga e drejta kushtetuese për të heshtur pas arrestimit.

Balat kërkoi një copë letër dhe shkroi se betohej për besnikëri ndaj IS dhe bëri thirrje për vrasjen e jobesimtarëve, sipas padisë penale të siguruar nga BBC.

Kayumi deklaroi se ishte i lidhur me IS, kishte parë propagandë të IS në telefonin e tij dhe ishte pjesërisht i frymëzuar prej tij për veprimet e tij atë ditë.

Në një deklaratë të hënën, Mamdani tha se dy burrat e akuzuar “duhet të mbahen plotësisht përgjegjës për veprimet e tyre”.

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë të sigurt qytetarët e Nju Jorkut. Nuk do të tolerojmë terrorizëm apo dhunë në qytetin tonë.”

Tisch tha se policia e qytetit mbetet vigjilente në hetimet kundër terrorizmit dhe përmendi nivelin e lartë të alarmit në SHBA për shkak të luftës midis SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.

Ajo falënderoi dy oficerët që ndërhynë “pa hezitim dhe pa menduar për sigurinë e tyre” pasi pajisjet u ndezën.

Analiza e një prej pajisjeve tregoi se ishte bërë nga triacetone triperoxide (TATP), një eksploziv shumë i rrezikshëm dhe i paqëndrueshëm që mund të përgatitet në mënyrë artizanale. Ky material është përdorur edhe në sulme të tjera terroriste dhe mund të kishte shkaktuar shumë viktima.

Policia gjeti gjithashtu një makinë në zonën Upper East Side të lidhur me të dyshuarit. Një robot i policisë zbuloi brenda saj një pajisje tjetër shpërthyese të ngjashme me dy të parat.

Protesta pranë shtëpisë së kryebashkiakut ishte organizuar nga influenceri i ekstremit të djathtë Jake Lang, i cili ishte pjesëmarrës në trazirat e 6 Janarit në Kapitol dhe ishte falur më vonë. Grupi i tij ishte më i vogël në numër se kundër-protestuesit, të cilët ishin mbi 100 persona.

Ndërsa dy grupet u përplasën, video nga vendi i ngjarjes tregojnë Balat duke hedhur pajisjen e parë të ndezur, e cila u fik pasi goditi një barrierë.

Më pas ai mori një pajisje të dytë nga Kayumi, e ndezi dhe filloi të vraponte përpara se ta hidhte. Sipas përditësimeve të mëvonshme, të dy pajisjet u hodhën.

Bombat ishin bërë nga shishe qelqi të mbushura me material shpërthyes dhe të rrethuara me vida dhe dado metalike për të rritur dëmin, me një fitil të ngjashëm me atë të fishekzjarreve.

FBI dhe policia e Nju Jorkut konfirmuan se objektet e dyshimta ishin pajisje shpërthyese të improvizuara (IED).