Gratë "shefe" vetëm për 8 Mars/ Koçibellinj: Ditë reflektimi,për të kuptuar çfarë të bëjmë më mirë
Dita Ndërkombëtare e Gruas mund të ketë kaluar, por debati mbi pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare mbetet i hapur.
Përtej festimeve dhe luleve, 8 Marsi shërben si një moment bilanci dhe reflektimi mbi një realitet ku barazia gjinore është ende një objektiv i largët.
E ftuar në studion e Ora News ishte Suela Koçibelli: "Kjo datë nuk është thjesht një festë, por një "luftë" e përditshme për shanse të barabarta dhe një ditë ku gratë duhet të reflektojnë mbi arritjet, sfidat dhe të ardhmen e tyre."
"Problemi kryesor nuk qëndron te ndryshimet natyrore mes gjinive, por te mungesa e shanseve të barabarta. "Gratë janë gra dhe burrat janë burra. Por a duhet të kenë shanse të barabarta?
Po, duhet të kenë, por akoma nuk i kanë,ky disavantazh manifestohet në fusha të ndryshme, duke filluar nga paragjykimet e thella shoqërore."
Një grua e divorcuar në Shqipëri, veçanërisht jashtë kryeqytetit, ende shihet si fajtore dhe paragjykohet rëndë. Ende ekziston presioni kulturor që gruaja të jetë shtylla që mban familjen, edhe në kushtet kur shpesh paguhet më pak se burri.
Një nga paradokset më të mëdha, sipas analizës, gjendet në raportin mes arsimit dhe lidershipit. Gratë dominojnë masivisht sektorin e arsimit, duke u parë si figura edukuese dhe përkujdesëse që formojnë brezat e ardhshëm.
Shoqëria u beson atyre detyrën më të rëndësishme, edukimin e fëmijëve, por njëkohësisht i mban larg pozicioneve drejtuese në biznes, institucione financiare dhe politikë. "Ne besojmë që gratë na edukojnë brezin e ardhshëm, por ndërkohë nuk besojmë akoma që ato të jenë në pozicione drejtuese," shprehet Koçibelli.
Ky fenomen krijon një situatë kontradiktore, ku gratë përgatisin burrat për t'u bërë liderë, ndërsa vetë mbeten të përjashtuara nga këto role. Edhe në politikë, ku vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të grave, situata mbetet problematike.
Sipas ekspertes, gratë në jetën publike gjykohen me një standard shumë më të ashpër dhe vëzhgohen "me lupë" në krahasim me kolegët e tyre meshkuj.
Pritshmëritë ndaj tyre janë jorealiste, çka dëshmon se edhe prania numerike nuk përkthehet automatikisht në ndikim real apo barazi të mirëfilltë.
Në përfundim, ndërsa hapa pozitivë janë hedhur, rruga drejt barazisë së plotë mbetet e gjatë. Mentaliteti, normat shoqërore dhe strukturat që favorizojnë burrat në pozicionet e pushtetit, krijojnë një disbalancë të vazhdueshme që kërkon më shumë sesa një ditë feste për t'u adresuar.
Ndiqni intervistën e plotë:
