Zhvillohet turneu ndërkombëtar i mundjes “Ranking Series Muhamet Malo 2026” me pjesëmarrjen e 43 shteteve

Turneu ndërkombëtar i mundjes Ranking Series “Muhamet Malo” 2026 u zhvillua në datat 25 shkurt – 1 mars në Tiranë, duke u konfirmuar si një nga aktivitetet më të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar të mundjes për këtë sezon sportiv.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se turneu mblodhi në kryeqytetin shqiptar sportistë dhe delegacione nga e gjithë bota, duke e kthyer Tiranën në një qendër të rëndësishme të sportit ndërkombëtar gjatë këtyre ditëve.

Sipas tij, me pjesëmarrjen e 43 shteteve dhe mbi 750 pjesëtarëve të delegacioneve, përfshirë trajnerë, sportistë elitarë dhe staf teknik, turneu ofroi përballje të nivelit të lartë dhe emocione të forta sportive.

“Ky aktivitet është një dëshmi e rritjes së rolit të Shqipërisë në organizimin e eventeve ndërkombëtare sportive dhe një mundësi e mirë për promovimin e vendit tonë përmes sportit”, theksoi Gonxhja.

Turneu Ranking Series “Muhamet Malo” është pjesë e serisë së eventeve të rëndësishme ndërkombëtare të mundjes, që kontribuojnë në renditjen botërore të sportistëve dhe shërbejnë si përgatitje për garat më të mëdha të këtij sporti.

Organizimi i këtij aktiviteti në Tiranë u vlerësua nga pjesëmarrësit dhe federatat ndërkombëtare si një event i realizuar me standarde të larta organizative, duke sjellë një atmosferë konkurruese dhe profesionale.

Eventi gjithashtu pati ndikim pozitiv në promovimin e sportit të mundjes në vend.