FSHF shtron iftar, Presidenti Duka: Futbolli & Ramazani përcjellin të njëjtat vlera...

Një event i kthyer tashmë në traditë nga Federata Shqiptare e Futbollit, që çdo vit, në këtë periudhë të veçantë për besimtarët myslimanë, bën bashkë familjen e madhe të futbollit shqiptar në një atmosferë miqësore dhe respekti të ndërsjellë.

Të pranishmit i përshëndeti Presidenti Armand Duka, i cili uroi të gjithë për një agjërim të pranuar dhe theksoi rëndësinë e vlerave që përcjell muaji i Ramazanit, të cilat përputhen edhe me frymën e sportit dhe futbollit.

“Faleminderit që keni pranuar ftesën e Federatës së Futbollit në këtë iftar tradicional, sepse tashmë çdo vit federata ka bërë traditë që të shtrojë iftar. Ky iftar nuk është thjesht ndarja e një vakti, por është shprehje e respektit për të gjithë ata që e respektojnë dhe e agjërojnë Ramazanin, shprehje e respektit jo vetëm për ne që jemi në sallë, por për të gjithë komunitetin tonë të futbollit.

Muaji i Ramazanit është muaji i reflektimit, i respektit, i sakrificës, i përkushtimit, por është edhe muaji i shprehjes së ndjenjave më të mira njerëzore, respektit për njëri-tjetrin.

Edhe loja e futbollit ka një lloj ngjashmërie, sepse edhe në futboll duhet disiplinë, unitet, solidaritet, duhen pikërisht këto virtyte që merren dhe respektohen në muajin e Ramazanit.

Dua t’ju uroj që të keni një agjërim të pranuar, uroj që të keni shëndet dhe të mira ju dhe i gjithë komuniteti dhe familja jonë e futbollit. Agjërim të pranuar!”, - tha Presidenti Duka.