ME SYTË NGA HAMILTON E FERRARI! Rregullat e reja 2026 ndryshojnë motorë, shasi dhe aerodinamikë
Sezoni 2026 i Formula 1 nis në Melbourne mes ndryshimeve të mëdha teknike dhe pritshmërive të larta për Lewis Hamilton te Ferrari. Testet para-sezonale sugjerojnë se Mercedes dhe Ferrari mund të sfidojnë McLaren-in kampion. Megjithatë, mbeten pikëpyetje mbi formën e Hamiltonit dhe balancat reale të forcave.
Formula 1 hyn në një epokë të re me ndryshime të thella në shasi, goma, karburant dhe aerodinamikë aktive, duke sjellë terma të rinj si “overtake mode” dhe “boost mode”.
Në prag të Çmimit të Madh të Australisë, shumë sy janë drejtuar te Ferrari dhe te shtatë herë kampioni i botës Leëis Hamilton, i cili synon titullin e tetë me skuadrën italiane.
Testet në Bahrein lanë përshtypjen se Ferrari dhe Mercedes janë mes skuadrave për t’u mposhtur, përkrah McLaren-it të kampionit në fuqi Lando Norris dhe Red Bull-it.
Shefi i Ferrarit, Frederic Vasseur, thekson se gara e parë nuk do të përcaktojë sezonin, pasi zhvillimi i makinave mund të ndryshojë renditjen gjatë vitit.
Megjithatë, forma e Hamiltonit mbetet në pikëpyetje pas performancave jo bindëse në sezonet e fundit.
Në moshën 41-vjeçare, ai duhet të tregojë se mund të rikthehet në nivelin më të lartë dhe të përballet me Charles Leclerc nëse makina rezulton konkurruese.
Ndërkohë, Williams ka zhgënjyer. Pavarësisht premtimeve për përqendrim te rregullat e reja, makina e tyre rezultoi e vonuar dhe mbi peshë, ndoshta deri 20 kg mbi limit, çka mund të përkthehet në rreth 0.7 sekonda më ngadalë për xhiro. Në një mesfushë të ngjeshur, kjo diferencë është vendimtare.
Sa i përket mundësisë që një ekip i mesfushës të bashkohet me “Big Four”: McLaren, Mercedes, Red Bull dhe Ferrari, aktualisht diferenca duket mbi një sekondë për xhiro.
Edhe pse kufiri buxhetor dhe kufizimet aerodinamike synonin të ngushtonin hendekun, avantazhi historik i skuadrave të mëdha në eksperiencë dhe burime mbetet i fortë.
Sezoni nis me pritshmëri të mëdha dhe shumë pikëpyetje. Melbourne do të japë sinjalet e para, por përgjigjet përfundimtare do të shkruhen në pistë gjatë muajve në vijim.

