ALARM PËR K*NCERIN/ Studimi paralajmëron rritje dramatike të rasteve deri në 2050

Rastet globale të kancerit të gjirit pritet të kalojnë 3.5 milionë deri në vitin 2050, sipas një studimi të publikuar në The Lancet Oncology. Ndërsa vendet e pasura kanë ulur vdekshmërinë me gati 30%, vendet me të ardhura të ulëta po përballen me rritje të fortë të vdekjeve. Ekspertët flasin për një hendek të thellë në aksesin ndaj trajtimit.

Kanceri i gjirit mbetet kanceri më i diagnostikuar tek gratë në nivel global, dhe sipas një studimi të ri të publikuar në The Lancet Oncology, rastet pritet të arrijnë mbi 3.5 milionë në vit deri në vitin 2050.

Vetëm në vitin 2023, rreth 2.3 milionë gra u diagnostikuan me këtë sëmundje, ndërsa mbi 760 mijë humbën jetën. Analiza, që përfshin të dhëna nga 204 vende dhe territore për më shumë se tre dekada, tregon një ndarje të thellë mes vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta.

Në vendet me të ardhura të larta, investimet në depistim, diagnostikim të hershëm dhe trajtim kanë sjellë një ulje prej gati 30% të vdekshmërisë që nga viti 1990. Por në vendet me të ardhura të ulëta, vdekjet nga kanceri i gjirit janë pothuajse dyfishuar gjatë së njëjtës periudhë.

Situata është veçanërisht alarmante në Afrikën Subsahariane, ku shkalla e vdekshmërisë është më shumë se dyfishi i mesatares globale. Ekspertët theksojnë se problemi nuk qëndron vetëm te diagnostikimi, por te mungesa e infrastrukturës për trajtim përfshirë radioterapinë, kirurgjinë dhe terapitë e synuara, të cilat shpesh janë të papërballueshme financiarisht.

Sipas studiuesve, pa investime të reja dhe vullnet politik për të garantuar akses të barabartë në kujdesin shëndetësor, shumë vende nuk do të arrijnë objektivat globale për uljen e vdekshmërisë.

Mjekët rekomandojnë depistim të rregullt me mamografi, veçanërisht për gratë mbi 40 vjeç, si dhe kujdes ndaj çdo ndryshimi të pazakontë në gji, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm mbetet arma më e fortë kundër sëmundjes.