Dita për Zero Diskriminim
ÇDO 1 MARS shënohet Dita Ndërkombëtarë për Zero Diskriminim, ku bëhet thirrje për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të kremtuar diversitetin, tolerancën dhe gjithëpërfshirjen.
Diskriminimi është trajtimi i personave në situatё analoge në mënyrë të ndryshme, ose trajnimi i njëjtë i personave në situata të ndryshme, pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm.
Që nga fillimi i njerëzimit, diskriminimi, qoftë në një formë, qoftë në tjetrën ka paraqitur problem. Diskriminim është bërë gjithkund ndaj njerëzve autoktonë dhe ndaj minoriteteve, diskriminimi ndodh ndaj fëmijëve, femrave të cilat trajtohen si qenie njerëzore më pak të vlefshme, njerëzve të infektuar me HIV/AIDS, kundër atyre që kanë të meta fizike dhe psikike, si dhe kundër atyre me orientime të tjera seksuale. Kjo shfaqet madje edhe në fjalorin tonë të përditshëm, përmes së cilit ndonjëherë, me qëllim ose pa qëllim e veçojmë veten nga të tjerët.
Diskriminimi shfaqet në aq shumë forma, sa që mund të supozojmë se secili në njëfarë forme dhe sasie ka qenë i prekur nga diskriminimi. Prandaj, vetëdijësimi për këtë çështje është esencial për ta përballuar atë në mënyrë efektive.
Këtë vit, UNAIDS hedh dritë mbi diskriminimin e vazhdueshëm me të cilin përballen njerëzit që jetojnë me HIV dhe në rrezik të HIV-it, diskriminim që minon aksesin në shërbimet shëndetësore, shkel të drejtat dhe pengon progresin drejt përfundimit të AIDS-it deri në vitin 2030. Dita Zero Diskriminim e këtij viti thekson nevojën për t’i vënë njerëzit në radhë të parë.
Provat janë të qarta: stigma dhe diskriminimi i lidhur me HIV-in vënë jetë në rrezik. Bazuar në të dhënat nga më shumë se 30,000 njerëz që jetojnë me HIV në 25 vende, stigma dhe diskriminimi mbeten pengesa të përhapura për aksesin në shëndetësi, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.
Sipas Raportit Global të Indeksit 2.0 të Stigmës së Njerëzve që Jetojnë me HIV, pothuajse një në katër raportojnë se janë stigmatizuar nga të tjerët, përfshirë në mjediset e kujdesit shëndetësor, ku diskriminimi minon besimin dhe aksesin në shërbime shpëtimtare. Përveç kësaj, 85% e njerëzve që jetojnë me HIV ndiejnë stigmë të përvetësuar dhe shumë prej tyre ndryshojnë sjelljen e tyre – duke fshehur statusin e tyre HIV, ose duke ndërprerë trajtimin e HIV-it – për shkak të frikës nga refuzimi dhe gjykimi. Këto gjetje konfirmojnë se stigma e lidhur me HIV-in nuk është një problem anësor; është një pengesë për t’i dhënë fund AIDS-it deri në vitin 2030.

