IKTK inspektime në Kishën e Shën Kollit në Krutje në prag të restaurimit

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka realizuar inspektime në terren, në Kishën e Shën Kollit, Krutje e Sipërme.

Inspektimi kishte si qëllim evidentimin e gjendjes aktuale të këtij monumenti me vlera historike dhe arkitektonike. Specialistët e IKTK verifikuan gjendja konstruktive, dëmtimet e konstatuara ndër vite dhe faktorët që ndikojnë në degradimin e kishës, si pjesë e procesit për rishikimin dhe zbatimin e projektit të restaurimit.

IKTK tha se, ky angazhim synon ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie të rëndësishme kulturore, si pjesë e identitetit historik të komunitetit.

Kisha e Shën Kollit ne Krutje te Siperme është kishë e tipit bazilikal, me çati dy ujëse me tjegulla. Ajo përbëhet nga narteksi në anën perëndimore dhe portiku me kollona guri. Naosi përbëhet nga tre nefe të ndara midis tyre nëpërmjet dy radhë shtyllash prej druri, të cilat mbajnë një tavan dekorativ.

Ikonostasi prej druri mban ikona të punuara nga artisti i gjysmës së parë të shekullit të XIX-të, Naum Çetiri. Në faqen lindore vihet re ndarja klasike në tre breza të mëdhenj. Brezi i madh i shënjtorëve në këmbë, brezi i medalionëve, ku shënjtorët nuk janë vendosur në formë rrethi, por kanë një ndarje me hark nga sipër, mbështetur në linjë që të kujtojnë kollonat.

Sipër tyre janë skena nga mrekullitë e Krishtit, dhe sipër tyre ka një brez të madh më këmbë. Edhe në absidë brezi i poshtëm është brezi i shënjtorëve më këmbë, mbi të brezi I apostujve dhe sipër tyre Shën Mëria Platitera.