Ambasadori i BE: Tani momenti i Kosovës për të avancuar drejt integrimit europian

Ambasadori i BE-së, Aivo Orav u takua sot me Glauk Konjufcën, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të zyrës së BE-së, ata diskutuan për përshpejtimin e përpjekjeve të Kosovës drejt integrimit në BE.

“Momenti për të avancuar në këtë rrugë është tani”, deklaroi Orav.

Orav shprehu më tej vlerësimin e BE-së për përafrimin vullnetar të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, në veçanti për mbështetjen ndaj Ukrainës. /KosovaPress