NDRYSHIMET QEVERITARE/ Alimehmeti: Kabineti po ndryshohet për pozicionin e tij, janë masa të dëshpëruara
I ftuar në studion e Ora News, mjeku dhe politikani Ilir Alimehmeti komentoi zhvillimet e fundit politike, duke i lidhur lëvizjet në kabinetin qeveritar dhe nismën për ndryshime në Kodin Penal me presionin në rritje ndaj kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, ndryshimet e thella në qeveri nuk burojnë nga një strategji për përmirësimin e qeverisjes, por nga një situatë e vështirë politike për kreun e ekzekutivit.
“Të gjitha këto janë masa të dëshpëruara. Ndryshimi i madh i kabinetit bëhet për pozicionin e tij. Nuk bëhet për arsye tjetër.”- tha ai.
Alimehmeti u ndal edhe te tentativa për të ndryshuar nenin 242 të Kodit Penal, duke e konsideruar si një lëvizje që synon mbrojtje personale.
“Prekja e Kodit Penal nuk lind nga një nevojë apo vizion. Po të ishte vizion, do të ishte bërë në vitin e parë apo të dytë të mandatit. Tani bëhet për të vendosur një mburojë ndërmjet drejtësisë dhe vetes së vet.”- u shpreh Alimehmeti.
Në analizën e tij, ai përmendi edhe rastin e mandatit të një deputeteje të maxhorancës dhe vendimin e Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duke theksuar se aktet juridike janë të qarta dhe se në fund vendimet e gjykatave do të zbatohen.
“Në fund të ditës do t’i bindet gjykatës. Kjo është e qartë. Mund ta shtyjë përballjen, por aktet juridike janë para syve.”- ka thënë ai.
I pyetur nëse vendi mund të përballet me reagime ndërkombëtare për shkak të diskutimeve mbi Kodin Penal dhe reformën në drejtësi, Alimehmeti u shpreh se paralajmërimet kanë qenë të vazhdueshme dhe se ndërhyrjet në këtë fazë nuk lidhen me një plan afatgjatë reformues.
Sipas tij, nëse do të kishte pasur një projekt të mirëfilltë politik për ndryshime në sistemin penal, ai do të ishte ndërmarrë më herët dhe jo në një moment me tension të lartë politik dhe institucional.
Ndiqni intervistën e plotë:

