"Prokuroria s’ka asnjë provë"/ Kryemadhi pas seancës në GJKKO: Meta nuk ka asnjë firmë dhe asnjë mesazh në dosje
Pas seancës paraprake në GJKKO, Monika Krymadhi dha një reagim për mediat, ku parashtroi kërkesat e drejtuara gjykatës dhe kundërshtimin e ekspertimeve dhe pretendimeve të SPAK-ut.
Ndërsa foli për zhvillimet në seancë, ajo tha se paraqiti edhe dy kontrata për çështjen e lobimit, që SPAK mund t’i verifikojë më tej me letër-porosi në SHBA, kurse për ligjin e minierave që akuzohet ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, nënvizoi se propozuesi është Edi Rama dhe jo ish-presidenti.
“Paraqita në Gjykatë edhe dy kontrata, por që nuk mund të merren sepse duhen sipas procedurës penale. Unë i dorëzova dhe është detyrë e Prokurorisë që t’i kërkojë nëpërmjet letër-porosisë në SHBA. Unë kërkova që Prokuroria të marrë në pyetje dhe të kërkojë në SHBA për personin që ka bërë deklaratat. Zoti Meta nuk ka asgjë, nuk ka asnjë firmë, asnjë mesazh në dosje. Edhe për ligjin e minierave nuk është Meta propozuesi, por është zoti Rama që e propozoi. E kërkuam nga Gjykata që të faktohet. Të na tregojnë se çfarë intimidimi ka pasur ndaj deputetëve apo personazheve.
SPAK nuk kishte asnjë provë, kërkoi kohë për materialet. Por unë i dorëzova dokumentet gjykatës, kundërshtova edhe ekspertimin e SPAK, është e paligjshme dhe e njëanshme. Ekspertimi është llogaritur dy herë sipas ekspertes, nëse unë e kam furnizuar makinën 100 herë, ata e kanë bërë 200 herë dhe kjo mund të ndodhë.
Mbrojtja ime është e disponuar vetëm në dokumentet që posedon SPAK. Edhe çështja e shtëpisë së mamasë time, ka pasur një hetim administrativ më parë nga ILDKPI, por kjo nuk e pengonte SPAK të hetonte. Por para se të më akuzojnë për pastrim të produktit të veprës penale, SPAK duhet të japë provë. SPAK duhet të na thotë se çfarë vepre penale kemi kryer sepse nuk mund të jenë marrë paratë më parë.
Kanë telefonin tim, mesazhet. Mesazhet e mia me Edi Ramën. Bëhuni gati për Power Point, se do shfaqen, do shikoni mesazhet e mia me Edi Ramën. Se si kemi zgjedhur Erjon Veliajn për kryetar bashkie, sepse unë doja Veliajn dhe Meta donte Blendi Klosin për kandidat”, tha ajo.

