Starmer përballet me “provë kyçe” në zgjedhjet e pjesshme në Gorton dhe Denton

Qytetarët në zonën elektorale Gorton dhe Denton, në veriperëndim të Anglisë, do t’u drejtohen sot kutive të votimit – në një zgjedhje të pjesshme që konsiderohet një test i rëndësishëm për udhëheqjen e kryeministrit britanik Keir Starmer.

Partia Laburiste e fitoi këtë zonë në vitin 2024 me më shumë se gjysmën e votave, por sondazhet sugjerojnë se kandidatja e saj, Angeliki Stogia, përballet me një garë të ngushtë mes rivalëve si Matt Goodwin nga partia “Reform UK” dhe Hannah Spencer nga Partia e Gjelbër.

Një fitore do t’i jepte Starmer pak “frymëmarrje” pas një periudhe kur drejtimi i tij i Partisë Laburiste është vënë në pikëpyetje.

Por një humbje pritet të shtojë presionin ndaj tij; disa vëzhgues paralajmërojnë se një vend i tretë – në një zonë që tradicionalisht ka qenë e sigurt për laburistët në Greater Manchester – mund të rrezikojë postin e tij si kryeministër.

Në mesazhin e tij të fundit para hapjes së votimeve, Starmer u përpoq të bindë votuesit e pavendosur laburistë, duke e paraqitur garën si një përballje të drejtpërdrejtë mes Laburistëve dhe “Reform UK”.

“Zgjedhja në këtë votim të pjesshëm nuk mund të jetë më e qartë: unitet apo përçarje. Ulje e kostos së jetesës me Laburistët apo përçarje mes komuniteteve nën drejtimin e “Reform UK”. Të ecim përpara së bashku, apo të hapim rrugën për zemërim dhe ndarje që e mbajnë vendin prapa”, tha Starmer në një deklaratë.

Partia Laburiste pritet të angazhojë gjithçka në votimin e sotëm, me mbi 1 000 aktivistë që pritet të udhëtojnë drejt zonës. Starmer e vizitoi zonën të hënën, në një shenjë optimizmi për rezultatin. /