S*LME DHE BISEDIME A*MËPUSHIMI/ Takim SHBA–Ukrainë në Gjenevë mes ofensivës ushtarake ruse
Një ofensivë ajrore ruse goditi gjatë natës kryeqytetin ukrainas, Kievin, si dhe disa qytete të tjera strategjike të vendit. Autoritetet lokale raportuan dëme në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile. Sulmet vijnë në një moment kur në Gjenevë po zhvillohen takime diplomatike për një armëpushim të mundshëm. Paralelisht me zhvillimet në terren, po intensifikohen përpjekjet për të hapur një raund të ri negociatash mes palëve.
Një sulm masiv me dronë dhe raketa ruse goditi gjatë natës kryeqytetin ukrainas, Kiev, si dhe disa qytete të tjera të vendit, në një kohë kur diplomacia ndërkombëtare po përpiqet të hapë rrugën për një armëpushim të mundshëm.
Shpërthimet e para u dëgjuan rreth orës 4 të mëngjesit me orën lokale, pasi objektiva ajrore hynë në hapësirën e kryeqytetit, ku u konfirmuan dëme në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan menjëherë dhe u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë në vende të sigurta. Sulme u raportuan edhe në Kharkiv dhe Zaporizhzhia, duke treguar për një ofensivë të gjerë ajrore gjatë natës.
Ndërkohë, në Gjenevë po zhvillohet një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Qëllimi i bisedimeve është përgatitja e një raundi të ri negociatash, që mund të përfshijnë edhe Rusinë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re dhe për të diskutuar kushtet e një armëpushimi.
Media ruse, përfshirë agjencinë TASS, raportojnë se këshilltari për investimet e huaja i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, pritet të marrë pjesë në takime me përfaqësues amerikanë për çështje ekonomike.
Nga ana tjetër, Kremlini ka ftohur pritshmëritë për një takim të shpejtë mes liderëve. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se një samit mes Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të zhvillohet vetëm në fazën përfundimtare të negociatave dhe pas një pune të detajuar në nivel ekspertësh.
Deklarata e tij vë në pikëpyetje optimizmin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, i cili në një intervistë për Fox News përmendi mundësinë e një takimi të afërt mes palëve, me pjesëmarrjen e mundshme edhe të presidentit amerikan Donald Trump, nëse krijohen kushtet për një marrëveshje konkrete.
Sulmet në terren dhe lëvizjet diplomatike tregojnë se lufta vazhdon të zhvillohet në dy fronte: atë ushtarak dhe atë politik, ndërsa sytë e komunitetit ndërkombëtar mbeten të drejtuar nga Gjeneva, në pritje të sinjaleve për një armëpushim të mundshëm.