SHBA SHËRBIME KONSULLORE IZRAELIT/ Ofrohen për herë të parë në disa vendbanime në Bregun Perëndimor

SHBA do të ofrojë për herë të parë shërbime pasaportash në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor. Këtë hap palestinezët e konsiderojnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe legjitimim të vendbanimeve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë për herë të parë shërbime konsullore në terren në dy vendbanime izraelite në Bregun Perëndimor.

Ky territor konsiderohet i pushtuar nga shumica e komunitetit ndërkombëtar për shkak se u mor nga Izraeli gjatë Luftës së vitit 1967 dhe nuk është njohur si pjesë sovrane e këtij shteti.

500 mijë kolonë izraelitë jetojnë atje, përballë rreth 3 milionë palestinezëve. Ky hap është kritikuar nga këta të fundit si shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare.

Autoriteti Palestinez deklaroi se nisma favorizon pushtimin dhe minon mundësinë e krijimit të një shteti të pavarur palestinez. Edhe Hamasi e quajti vendimin precedent të rrezikshëm.

Ambasada amerikane në Jerusalem njoftoi se në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, do të ofrojë shërbime rutinë pasaportash në vendbanimin Efrat, rreth 12 kilometra në jug të Jerusalemit, vetëm për një ditë.

Ambasada bëri gjithashtu të ditur se shërbime të ngjashme do të ofrohen edhe në një tjetër vendbanim, Beitar Illit, si dhe në qytetin palestinez Ramallah dhe në tre qytete brenda Izraelit.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar thotë se konteksti është domethënës, duke theksuar rolin e ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i njohur për qëndrime pro zgjerimit territorial izraelit.

Ndërkohë, qeveria e Benjamin Netanyahu ka miratuar masa për të forcuar kontrollin mbi Bregun Perëndimor dhe për ta bërë më të lehtë blerjen e tokave nga kolonët, gjë që palestinezët e quajnë de facto aneksim.