EGJEU “MIKPRITËSI” I EMIGRANTËVE / 71 emigrantë gjenden në ishujt e Lesbos dhe Farmakonissi në Greqi
Në një seri ngjarjesh gjatë 48 orëve të fundit, autoritetet greke zbuluan dhe morën nën kujdes 71 persona që kaluan Egjeun nga Turqia, përfshirë ndalimin e një skafisti dhe transferimin e tyre në strukturat pritëse në ishujt Verilindorë.
Sektori i emigracionit dhe Garda Bregdetare Greke raporto se 71 emigrantë janë identifikuar dhe asistuar në dy incidente të ndara në ishujt e Egjeut lindor gjatë ditëve të fundit, një situatë që pasqyron sërish presionin e vazhdueshëm migrues drejt territorit grek.
Sipas njoftimeve të autoriteteve, 31 emigrantë u gjetën afër bregdetit të ishullit të Lesbos, mes tyre 15 burra, 4 gra dhe 12 fëmijë, pas kapjes së një skafi me shpejtësi të madhe që vinte nga deti.
Pas ndjekjes nga mjetet e Gardës Bregdetare, skafisti një burrë 39-vjeçar me shtetësi azerbajxhanase u arrestua ndërsa emigrantët u transportuan në Qendrën e Përkohshme të Identifikimit dhe Pritjes pranë Mitylenës.
Në një tjetër operacion autoritetet gjetën 40 persona në ishullin e vogël të Farmakonissit, përfshirë 24 burra, 13 gra dhe 3 fëmijë.
Ata u morën nën mbikqyrje nga Garda Bregdetare dhe u transportuan me anije drejt portit të Lakkisë në ishullin Leros, ku më pas u dërguan në një Strukturë të Mbyllur të Kontrolluar të Migracionit për regjistrim dhe trajtim të mëtejshëm.
Autoritetet greke theksuan se këto ndërhyrje në ujërat e Egjeut janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të menazhuar lëvizjet migratore përgjatë kufirit detar me Turqinë.
Ky fluks ka sjellë ngarkesë të kapaciteteve ekzistuese të qendrave pritëse, ku për këtë zyrtarët grekë në bashkëpunim me shtete të tjera të Bashkimit Europian kanë kërkuar krijimin e mundësive për të krijuar qendra të tjera të pritjes së emigrantëve jashtë BE-së kryesishtë në vendet Afrikane, kjo vlenë për ata emigrantë që ju është refuzuar kërkesa për azil.
