Hetim për gërryerjen e Shkumbinit në Dragostunjë, Prokuroria kërkon dokumentacionin e kompanisë për shfrytëzimin

Prokuroria e Elbasanit ka nisur procedim penal pas bllokimit total të aksit Librazhd–Përrenjas, si pasojë e rrëshqitjeve pranë lumit Shkumbin. Hetimet në bashkëpunim me Inspektoritatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit po fokusohen te shfrytëzimi i inerteve dhe respektimi i lejeve nga kompanitë përkatëse. Rrëshqitjet kanë prekur rrugën, linjën hekurudhore dhe një shtyllë të tensionit të lartë 110 Kilovolt.

Pas bllokimit total të aksit Librazhd–Përrenjas, prokuroria e Elbasanit dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kanë nisur hetimet për dhembjet në zonën e lumit Shkumbin, pranë fshatit Dragostunjë.

Prokuroria bën me dije se ka filluar procedimin penal për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kreu verifikime në terren nëse shfrytëzimi i shtratit të lumit Shkumbin për nxjerrjen e inerteve është kryer në përputhje ligjin

Po kërkohet dokumentacioni i kompanisë mbi lejen për shfrytëzimin e lumit për marrjen e inerteve, verifikimi i koordinatave, nëse janë respektuar dhe sasitë e lejuara, ndërsa pritet një vlerësim zyrtar mbi përgjegjësitë dhe ndikimin real të ndërhyrjeve në këtë zonë.

Rrëshqitjet kanë prekur jo vetëm segmentin rrugor të Korridorit VIII, por edhe linjën hekurudhore dhe shtyllën e tensionit të lartë 110 KV, duke e kthyer situatën në një problem serioz infrastrukture dhe sigurie.

Prej vitesh, segmenti i Shkumbinit nga Peqini deri në Hotolisht është shndërruar në një kantier të hapur për nxjerrjen e inerteve, në funksion të projekteve të mëdha infrastrukturore.

Sipas denoncimeve dhe pamjeve të publikuara, ndërhyrjet masive në shtratin e lumit kanë ndryshuar rrjedhën natyrale dhe kanë rritur rrezikun për përmbytje e dëmtime mjedisore.

Ekspertët paralajmërojnë se gërryerja pa kriter e shtratit të lumit mund të sjellë pasoja afatgjata: degradim të tokave bujqësore, zhdukje të biodiversitetit dhe rrezik për komunitetet përgjatë luginës së Shkumbinit.