Turqia arreston korrespondentin e DW për një postim në rrjetet sociale

Një korrespondent i transmetuesit ndërkombëtar gjerman Deutsche Welle (DW) është arrestuar në Ankara, njoftoi media.

Sipas DW, gazetari Alican Uludag u mor përpara familjes së tij nga rreth 30 efektivë policie dhe u transferua në selinë e autoritetit më të lartë policor të Stambollit, ku pritet të dalë në gjyq.

Drejtoresha e DW, Barbara Massing bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Sipas transmetuesit, Uludag akuzohet për “përhapje të informacionit mashtrues për publikun”, “fyerje të presidentit” dhe “fyerje të kombit, shtetit dhe institucioneve turke”.

Edhe mediet turke raportuan për akuzat duke cituar zyrën e kryeprokurorit të Stambollit.

Banesa e gazetarit është kontrolluar dhe pajisjet e tij elektronike janë sekuestruar.

Akuzat lidhen me një postim në platformën X, rreth 18 muaj më parë, ku ai kritikonte masat qeveritare që, sipas tij, kishin liruar militantë të dyshuar të Shtetit Islamik dhe akuzonte zyrtarë për korrupsion.

DW theksoi se Uludag ka raportuar prej kohësh për shkelje të të drejtave të njeriut, raste korrupsioni dhe procese gjyqësore.