PAMJET/ Kisha e Kostandinit dhe Helenës, në lagjen Kala të Beratit
Në lagjen “Kala” të Beratit, mes monumenteve të shumta të trashëgimisë kulturore, është dhe kisha e Kostandinit dhe Helenës.
Kjo kishë bën pjesë në tipin e kapelave njënefëshe dhe ndodhet në veriperëndim të Shën Mëri Vllahernës, pranë shtëpive të banimit.
Kishës i paraprin një oborr i vogël nga ana veriore, i rrethuar me mure guri të mbuluara me tjegulla. Ajo është një kapelë, vëllimi i së cilës nuk shquhet në mjedisin që e rrethon. Planimetria e kishës është afërsisht katrore.

Mjediset kryesore të kishës janë naosi dhe kthina e altarit, ku ende duken gjurmët e ekzistencës së një ikonostasi në ndarjen midis dy mjediseve. Dyshemeja është e shtruar me pllaka guri dhe në qendër është kompozuar një mozaik me gurë dhe tulla katrore.
Afresku ndodhet i konservuar në anën perëndimore dhe atë veriore i paraqitur në tre rreshta ku spikat si skenë qendrore mbi hyrjen kryesore “Fjetja e Shën Mërisë”.

