Muaji i shenjtë i muslimanëve/ Agjërimi: Më shumë se vetëm të mos hash e të mos pish , Hoxha Ferid Piku shpjegon thelbin
Ramazani nuk është vetëm uri dhe etje, hoxha Ferid Piku zbulon kuptimin e thellë dhe rregullat që duhet të dini
Me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, një periudhe të rëndësisë së veçantë për besimtarët myslimanë në mbarë botën, hoxha Ferid Piku shpjegon dimensionet e thella shpirtërore dhe shoqërore të këtij muaji, duke theksuar se agjërimi është shumë më tepër sesa thjesht një akt abstenimi nga ushqimi dhe pija.
Sipas tij, e veçanta e Ramazanit nuk qëndron në kohëzgjatjen e tij, por në angazhimin e thellë që një besimtar ndërmerr. Përtej ritualit të dukshëm të agjërimit nga agimi në perëndim, qëllimi kryesor është përjetimi shpirtëror. "Më e rëndësishme është përjetimi shpirtëror i këtij agjërimi," shprehet Piku, duke e përshkruar atë si një periudhë për "rivendosjen e ekuilibrave mes trupit, shpirtit dhe mendjes". Ky është një muaj reflektimi personal mbi arritjet, ecurinë dhe veprimet e kryera, një "kthim i detyrueshëm drejt vetes".
Megjithatë, ky kthim te vetja nuk është një akt egoizmi. Përkundrazi, Piku thekson se reflektimi i Ramazanit duhet të përkthehet në vepra të mira dhe kontribut në shoqëri. "Nëse ke reflektuar siç duhet, këtë do ta kthesh në të mirë në shoqëri," pohon ai. Gjatë këtij muaji, vërehet një rritje e ndjeshmërisë, solidaritetit dhe bamirësisë, e cila kulmon me "sadaka fitrin", lëmoshën që jepet në fund të muajit përpara festës së Bajramit. Kështu, Ramazani është një muaj sa individual, aq edhe shoqëror.
Për të gjithë ata që nisin këtë rrugëtim, ekzistojnë disa rregulla bazë. Më thelbësorja, sipas hoxhës Ferit Piku, është "nijeti" – qëllimi i pastër dhe vendimi i marrë me zemër e mendje për të agjëruar me qëllim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Pa këtë qëllim, akti mbetet thjesht një distancim nga ushqimi. Rregulli i dytë është abstenimi total nga ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet bashkëshortore nga agimi deri në perëndim. Po aq të rëndësishme janë edhe kushtet e sjelljes: besimtari duhet të ruhet nga fjalët e këqija, gënjeshtrat dhe zemërimi. "Edhe nëse provokohet, njeriu duhet t'i kujtojë vetes 'unë agjëroj'," shpjegon Piku, duke treguar se kjo gjendje e vetëkontrollit duhet ruajtur edhe pas iftarit.
Ndikimi i këtij përkushtimi ndihet qartë në jetën e përditshme. Qëllimi final i agjërimit, sipas Kuranit, është arritja e devotshmërisë, që nënkupton përkushtim dhe ruajtje nga e keqja. Duke privuar trupin nga nevojat bazike, shpirti fiton më shumë hapësirë dhe "lehtësohet". Kjo shpjegon edhe pse agjëruesit, sidomos pas ditëve të para të përshtatjes, ndihen më të qetë, më të relaksuar dhe më të lirë, jo vetëm fizikisht, por mbi të gjitha shpirtërisht. Ramazani shërben kështu si një mundësi unike për transformim dhe pastrim të brendshëm.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
