Një puthje e mirë, studiuesit zbulojnë psikologjinë e fshehur
Një puthje e mirë ka më shumë të bëjë me “mendimet, fantazitë dhe kontekstin emocional që i sjellim asaj” sesa me vetë aktin fizik, kanë zbuluar shkencëtarët.
Studiuesit në Universitetin Abertay nisën të testonin supozimin se puthja nxit kiminë seksuale, dhe të eksploronin se si faktorët njohës dhe emocionalë ndikojnë në sjelljet e puthjes.
Për ta bërë këtë, ata kryen një anketë online në të cilën të anketuarve iu kërkua të flisnin për qëndrimet, përvojat dhe fantazitë e tyre në lidhje me intimitetin dhe puthjet.
Pjesëmarrësit, të cilët ishin me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali, vlerësuan cilësitë që i shoqërojnë me puthjen e mirë dhe reflektuan mbi aftësinë e tyre për t'u puthur.
Ata gjithashtu raportuan se sa shpesh përjetojnë fantazi intime dhe dhanë informacion mbi dëshirën seksuale.
Rezultatet treguan se puthja është "shumë më shumë sesa një përvojë shqisore".
Studiuesit zbuluan se njerëzit që shpesh ëndërrojnë me sy hapur për intimitet kanë tendencë t’i japin më shumë rëndësi kontaktit dhe ngacmimit kur vendosin se çfarë e bën dikë një person që puth mirë.
Ky model mbeti i pandryshuar edhe kur studiuesit morën në konsideratë, faktorë si kreativiteti dhe dëshira seksuale.
Ata thanë se kjo tregon se imagjinata, dhe jo vetëm ndjesia fizike, luan një rol kyç në mënyrën se si e përjetojmë dashurinë.
Dr. Christopher Watkins, ligjërues i lartë në departamentin e shkencave sociologjike dhe psikologjike në Universitetin Abertay, tha: “Gjetjet tona tregojnë se puthja është shumë më tepër sesa një përvojë shqisore.”
“Është formësuar nga mendimet, fantazitë dhe konteksti emocional që i sjellim.
"Historikisht, disa fusha të hulumtimit mbi seksualitetin njerëzor janë përqendruar në përvojat shqisore dhe mënyrën se si i përgjigjemi stimulimit fizik, por studimi ynë nxjerr në pah se si imagjinata dhe gjendjet e brendshme luajnë një rol të rëndësishëm, në mënyrën se si bashkëveprojmë me një partner kur e puthim atë."
"Duke shqyrtuar si elementët psikologjikë ashtu edhe ata fizikë, mund ta kuptojmë më mirë pse njerëzit ndryshojnë në mënyrën se si e përdorin dhe e vlerësojnë puthjen në marrëdhëniet e tyre, dhe pse një puthje e vetme mund të ndihet kaq domethënëse."
Ekipi tha se gjetjet e studimit mund të zhvillohen në një “mjet të thjeshtë” brenda terapisë së çifteve.
Bashkautorja e studimit, Milena Rota, e cila tani është studente doktorature në Universitetin e Leicesterit, tha: “Duke treguar se si fantazia formëson sjelljen romantike, hulumtimi ynë ofron një pasqyrë të re mbi rolin që luajnë mendimet tona në mënyrën se si shprehemi në kontekste romantike.”
“Hulumtimi ynë mund të zhvillohet më tej si një mjet i thjeshtë brenda terapisë së çifteve, duke parë se si fantazia mund të udhëheqë sjelljet - në këtë rast një puthje romantike - ku puthjet e shpeshta më parë kanë treguar se lidhen me marrëdhënie romantike me cilësi më të lartë.”
Studimi u botua në revistën Terapia Seksuale dhe e Marrëdhënieve.

