Gjenevë/ Mbyllet dita e parë e negociatave trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA

Ka përfunduar dita e parë e negociatave trepalëshe në Gjenevë mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, në një përpjekje të re diplomatike për të avancuar drejt një zgjidhjeje të konfliktit.

Lajmi u konfirmua nga kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se diskutimet janë fokusuar në çështje praktike dhe në mekanizma për zgjidhje të mundshme.

“Sot, si përfaqësuesit politikë ashtu edhe ata ushtarakë kanë përfunduar punën e tyre”, shkroi Umerov, duke falënderuar palën amerikane për, sipas tij, “bashkëveprim konstruktiv dhe gatishmëri për të punuar me këtë ritëm”.

Ai shtoi se një raport do t’i dërgohet presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ta informuar mbi ecurinë e bisedimeve.

Negociatat pritet të vijojnë edhe nesër.