Përparim Rama: Miratimi i buxhetit pa Prishtinën, draftin e Kurtit do ta dërgoj në Kushtetuese
Kryetari i Komunës se Prishtinës, Përparim Rama ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos-përfshirjen e Buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026 në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës, raporton KosovaPress.
Rama në një konferencë për media të dielën tha se çdo përjashtim arbitrarë i Komunës së Prishtinës është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe ligjeve për financa publike.
Sipas tij, dëmet janë të mëdha për qytetarët e kryeqytetit, duke u ndaluar shërbimet publike e projekte të mëdha kapitale.
Rama tha se një veprim i tillë nga qeveria është bërë pa asnjë arsyetim, të cilin e vlerëson si cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues.
“Më 6 shkurt 2026, Kuvendi i kryeqytetit ka miratuar buxhetin e Prishtinës për vitin 2026. Po atë ditë buxheti është dërguar brenda afateve ligjore në Ministrinë e Administrimit Lokal dhe ministrinë e financave. Ky buxhet i miratuar i kryeqytetit nuk e kanë dërguar për ndarje buxhetore të Kosovës, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare. Këtë e kanë bërë pa asnjë arsyetim, bazë ligjore dhe kjo nuk është neglizhencë administrative, ky është cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues”, tha Rama.
Rama tha se pasojat nuk janë vetëm fizike, por sipas tij, reale e të menjëhershme.
“Buxheti i Komunës së Prishtinës është i vetmi dokument financiar që i jep kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese. Dhe çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrarë është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe ligjeve për financa publike. Këto pasoja nuk janë vetëm teorike, janë reale dhe të menjëhershme. Si rezultat bllokohen shërbimet publike, ndalen projektet kapitale, banalizohet funksionimi institucional i kryeqytetit”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se nëse projektligji për buxhetin miratohet pa përfshirjen e buxhetit të kryeqytetit atëherë këtë ligj do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkohet përgjegjësi për çdo autoritet të nivelit qendror.
“Ne menjëherë iu kemi drejtuar edhe Komisionit për Buxhet dhe Kryesisë së Kuvendit. Kemi kërkuar përfshirjen e menjëhershme para votimit final të ligjit për buxhetin 2026. Po ashtu u kemi drejtua edhe Ministrisë së Financave të paraqes me shkrim bazën ligjore të kësaj mospërfshirje të korrigjoj menjëherë këtë shkelje dhe të jap përgjigje brenda afatit ligjor. Nëse ligji për buxhetin 2026 miratohet duke injorua buxhetin e miratuar të kryeqytetit, atëherë ku ligj do dërgohet në Gjykatën Kushtetuese si dhe do kërkohet përgjegjësi nga secili autoritet i nivelit qendror”, shtoi ai.
Në anën tjetër, pas miratimit të Projektbuxhetit 2026 në Qeverinë e Kosovës të enjten, shqyrtimi i parë i projektligjit për buxhetin, në vlerë rreth 4 miliardë euro, ishte paraparë të bëhej të premten në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, kjo pikë është shtyrë dhe pritet të shqyrtohet të hënën, në orën 10:00. /KosovaPress

