Dita Botërore e Kancerit Pediatrik, mjekja Xhafa: Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë, vendimtarë
Në Ditën Botërore të Kancerit Pediatrik mjekja onkohematologe pranë QSUT, Mirela Xhafa u shpreh se siagnostikimi i hershëm, ndjekja e specializuar dhe trajtimi në kohë janë vendimtarë për rritjen e shanseve për shërim dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve të prekur.
Xhafa apeloi për rritjen e vëmendjes ndaj çdo shenje apo simptome të referuar nga fëmijët, duke theksuar rëndësinë e reagimit të menjëhershëm nga prindërit dhe profesionistët e shëndetit.
“Nuk mjafton kjo ditë, madje nuk mjafton as muaji shtator që është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit pedriatik. Ndërkohë që ne këtu luftojmë çdo ditë, çdo orë me këto patologji”, tha ajo.
Sipas mjekes, forma më e shpeshtë është kanceri i gjakut, leucemia akute.
“Në vend të dytë janë tumoret e trurit, janë limfomat dhe 15% janë tumore të tjera. Në disa raste mund të ndodhë që mund të kemi shenja të përgjithshme prandaj themi se duhet vlerësimi në kohë”, tha ajo.
Xhafa tha se ka një lloj shërimi të mirë të kancerit pediatrik në vendet e zhvilluara dhe kjo shkon deri në 80-85%.
“Ndërkohë që në vendet me zhvillim të ulët mund të shkojë më pak se 35% ose deri në 40%”, shtoi ajo.

