“Open Masters Games Abu Dhabi 2026” drejt ceremonisë përmbyllëse në Hudayriyat
“Open Masters Games Abu Dhabi 2026” hynë në ditën e parafundit të garave, me aktivitete të zhvilluara në 23 disiplina sportive në 16 impiante, duke shënuar një nga mundësitë e fundit për atletët përpara mbylljes zyrtare të Lojërave.
Programi sportiv, që prej hapjes ka reflektuar larmishmërinë e disiplinave dhe ndërthurjen e kulturave, solli si një nga momentet kulmore nisjen e garave me deve në Al Wathba, një prej sporteve tradicionale më të çmuara në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe simbol i trashëgimisë kombëtare.
Aktiviteti mblodhi pjesëmarrës dhe spektatorë, duke theksuar angazhimin e Lojërave për të promovuar jo vetëm sportin ndërkombëtar, por edhe traditat vendase.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte vijimi i garave të gjuetisë me skifterë në Abu Dhabi Falconers Club, ku vizitorët patën mundësi të përjetojnë nga afër një prej praktikave më të hershme sportive të rajonit.
Angazhimi komunitar mbeti në qendër të vëmendjes. Një delegacion nga Autoriteti për Zhvillimin e Komunitetit vizitoi ambientet e ADNEC, ku ndoqi garat dhe eksploroi “Community Hub”, përpara se të vijonte në Zayed Sports City, ku u zhvilluan takime me sportistë dhe një ndeshje miqësore futbolli.
Legjenda e futbollit emiratian Ismail Matar zhvilloi një takim me sportdashësit në Zayed Sports City, duke frymëzuar pjesëmarrësit me praninë dhe mesazhet e tij mbështetëse.
Ndërkohë, pritshmëritë janë përqendruar te Ceremonia e Lamtumirës që do të zhvillohet në Hudayriyat Island, e cila do të shënojë mbylljen zyrtare të Lojërave.
Në të njëjtën ditë do të organizohet edhe “Open Masters Games Family Run”, një aktivitet që synon të bashkojë pjesëmarrës të të gjitha moshave në një festë të përbashkët të lëvizjes dhe komunitetit.
Gjatë ditëve të zhvillimit të tyre, Open Masters Games Abu Dhabi 2026 kanë lënë pas një trashëgimi të fortë pjesëmarrjeje, bashkëpunimi dhe besimi se sporti vijon të bashkojë e frymëzojë në çdo etapë të jetës./ATSH

