VENDIMI: Gjysëm ton dr*gë në Zvicër, 3 shqiptarë dënohen me nga 15 vite burg

Gjykata Penale e Kantonit Basel-Landschaft në Muttenz dënoi të enjten tre shqiptarë me nga 15 vjet burgim dhe me dëbim nga Zvicra për të njëjtën periudhë kohore.

Ata kishin tentuar në pranverën e vitit 2022 të merrnin një kontejner me gjysmë ton kokainë të fshehur në thasë kafeje.

Të pandehurit u shpallën fajtorë për shkelje të kualifikuara të Ligjit për Narkotikët.

Sipas aktakuzës, ata kishin ndërmarrë veprime për të siguruar posedimin dhe transportimin e një sasie të madhe droge. Përpjekja e tyre për të gjetur kontejnerin, në ambientet e kompanisë së transportit Swissterminal në Frenkendorf (BL), dështoi pavarësisht disa tentativave.

Ngarkesa u zbulua më vonë në fabrikën e Nespresso-s në Romont (FR).

Tre të dënuarit, të moshave 31, 34 dhe 32 vjeç, kanë vuajtur tashmë rreth dy deri në tre vite paraburgim. Prokuroria kishte kërkuar dënime mbi 19 vjet burg, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar shpalljen e pafajësisë.

Vendimi ende nuk është i formës së prerë.