Analiza e “Reuters”: BE bën thirrje për veprim mes vështirësive për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë sot se ishte urgjente të gjendeshin mënyra për të ulur kostot e energjisë dhe për të përmirësuar mënyrën se si funksionon tregu i brendshëm pa kufij i bllokut, në mënyrë që bizneset e Evropës të mund të jenë konkurruese dhe të mbijetojnë rivalitetin agresiv ekonomik nga SHBA-ja dhe Kina, sipas “Reuters”.

Ndërkohë që nuk priten shumë vendime konkrete, gjatë takimit 27 vendet anëtare të BE-së pritet të kapërcejnë interesin vetjak dhe të bien dakord për një plan të përbashkët veprimi.

“Ne ndajmë një ndjenjë urgjence që Evropa jonë duhet të veprojë”, tha presidenti francez Emmanuel Macron, duke qëndruar pranë kancelarit gjerman Friedrich Merz.

Të dy liderët – të cilët nuk pajtohen për shumë nga zgjidhjet e mundshme – mbërritën së bashku në takimin e BE-së.

Shumë nga udhëheqësit ndanë të njëjtën ndjenjë urgjence dhe zhgënjimi për mungesën e progresit, për të cilin ata vetë janë përgjegjës, në unifikimin e mëtejshëm të ekonomive të bllokut.

VENDET E BE-së DUHET TË GJEJNË KOMPROMISE

“Ka kaq shumë fjalë dhe kaq pak veprime, dhe ky është një shans për të përmbysur këtë prirje”, tha kryeministri suedez Ulf Kristersson.

Kryeministri çek Andrej Babis ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Vetëm fjalë, dhe asnjë veprim”.

Diskutimet do të përfshijnë tema duke përfshirë, mënyrën e thellimit të tregut të vetëm të BE-së, një bashkim të tregjeve financiare të BE-së për të lejuar bllokun të investojë në shkallë të gjerë dhe të ulë kostot e larta të energjisë në Evropë.

Këto tema do të testojnë gatishmërinë e shteteve anëtare për të bërë kompromis mbi interesat e tyre individuale dhe për të vepruar mbi retorikën pro rritjes.

PËRBALLIMI I KOSTOVE TË LARTA TË ENERGJISË

“Ne duhet të kemi një treg të unifikuar të energjisë, kjo është zgjidhja e vetme”, tha Babis i Republikës Çeke, i mbështetur nga shumë udhëheqës të tjerë.

“Industritë në Evropë përballen me çmime të energjisë që janë më shumë se dyfishi i atyre në SHBA dhe Kinë”, tregojnë të dhënat e BE-së.

“Çështja kryesore për industrinë evropiane tani është kostoja e energjisë”, tha kryeministri belg Bart De Wever, një ditë pasi udhëheqësit e biznesit i kërkuan BE-së të vepronte.

“Ne nuk jemi konkurrues dhe rrezikojmë të humbasim industrinë petrokimike, industrinë e çelikut, metalet dhe sigurisht, kjo është baza e gjithë prosperitetit”, tha Wever.

GJERMANIA DHE FRANCA NUK BIEN DAKORD 

Ndërsa të gjitha vendet e BE-së duan një bllok më konkurrues, Gjermani dhe Frnca nuk pajtohen se si ta arrijnë atë, dhe e kanë bërë këtë për vite me radhë.

Macron përsëriti thirrjen e tij të martën që BE-ja të nisë një huamarrje më të përbashkët për të investuar në shkallë të gjerë dhe për të sfiduar hegjemoninë e dollarit.

Franca po bën thirrje për një strategji “Made in Europe” që do të vendoste kërkesa minimale për përmbajtjen evropiane te mallrat e blera me para publike.

Gjermania nuk pajtohet me të dyja idetë duke argumentuar se çelësi është të rritet produktiviteti në vend që të ndërtohet borxh i ri.

Ajo gjithashtu thekson nevojën për një marrëveshje tregtare, të tilla si me bllokun e Amerikës së Jugut “Mercosur”, të cilin Franca e ka refuzuar.

“Kemi diskutuar për kaq kohë dhe mendoj se kjo është një kohë për të marrë vendime, sepse … koha po mbaron”, tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda.

MACRON SUGJERON QERSHORIT SI AFATIN E FUNDIT PËR VENDIME

Macron sugjeroi që një samit i BE-së në qershor duhej të ishte afati i fundit për të marrë vendime bashkërisht midis të gjitha vendeve të BE-së.

“Duhet të veprojmë shpejt dhe na duhen vendime konkrete deri në qershor”, tha ai.

“Nëse, në fusha të caktuara, nuk po përparojmë, kemi të drejtë të zgjedhim bashkëpunim të përforcuar midis më pak anëtarëve të BE-së për të ecur më shpejt”, tha Macron.