MEDALIST DHE... TRADHTAR! Biatlonisti norvegjez pranon tradhtinë ndaj partneres pas garës olimpike
Medalisti i bronztë olimpik në biatlon, Sturla Laegreid, befasoi publikun pas garës, pasi pranoi se kishte tradhtuar partneren e tij. Sportisti norvegjez i përlotur, deklaroi se sporti kishte kaluar në plan të dytë për shkak të situatës personale. Rrëfimi i tij emocional u bë viral, duke tërhequr vëmendje më shumë se vetë gara.
Një moment i pazakontë shënoi garën olimpike të biatlonit në Milano-Cortina, ku medalisti i bronztë norvegjez Sturla Holm Laegreid tërhoqi vëmendjen jo vetëm për rezultatin sportiv, por edhe për një rrëfim personal të bërë në transmetim të drejtpërdrejtë.
Menjëherë pas përfundimit të garës 20 kilometra individuale, ku ai siguroi medaljen e parë individuale olimpike në karrierë, sportisti norvegjez u shfaq i emocionuar gjatë intervistës për televizionin publik NRK.
Mes lotësh, Laegreid pranoi se disa muaj më parë kishte tradhtuar partneren e tij, duke e cilësuar atë si “gabimin më të madh të jetës”.
Ai tha se i kishte treguar partneres për ngjarjen pak ditë më parë dhe se vendosi ta bëjë publik rrëfimin, duke shpresuar që ajo të kuptojë sa shumë rëndësi ka për të.
Sportisti shtoi se në ditët e fundit sporti kishte kaluar në plan të dytë dhe se emocionalisht nuk ishte plotësisht i përqendruar te gara.
Në të njëjtën garë, bashkëkombësi i tij Johan-Olav Botn fitoi medaljen e artë, ndërsa francezi Eric Perrot siguroi të argjendtën.
Megjithatë, rrëfimi personal i Laegreid dominoi reagimet në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare, duke e kthyer intervistën e pas-garës në një nga momentet më të diskutuar të Lojërave Olimpike Dimërore.
Vetë sportisti pranoi më pas se ndoshta intervista mund të ketë lënë në hije suksesin e skuadrës së tij, por theksoi se ndjeu nevojën ta tregonte historinë publikisht, si një mënyrë për të marrë përgjegjësi për veprimet e tij dhe për të kërkuar falje.

