Gjykata e Lartë lë në fuqi konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit Guxim Zenelaj

Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e ish-gjyqtarit Guxim Zenelaj, duke lënë në fuqi konfiskimin e pasurive të tij.

Kolegji Penal vendosi të mbajë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të 15 korrikut 2024, i cili kaloi në favor të shtetit një sipërfaqe toke prej 1000 m² në Porto Palermo, Himarë-Vlorë, si dhe 6 pasuri të paluajtshme në Ishull Shëngjin, Lezhë.

Mes pasurive të konfiskuara janë edhe dy bodrume me sipërfaqe 16 m² dhe 15 m², njësi me sipërfaqe 218 m² dhe tre apartamente me sipërfaqe rreth 60 m², 67 m² dhe 51 m². Pasuritë e konfiskuara rezultuan të pajustifikuara nga ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë.

Në qershor 2025, Apeli vendosi edhe dënimin me 100 orë punë publike për Zenelajn, duke ndryshuar më parë vendimin e GJKKO-së që e kishte dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “deklarim i rremë i pasurisë”.