Vlorë/ Makina të vjedhura dhe benzinë të fshehura në ullishte, policia dyshon për...

Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, pas zbulimit dhe sekuestrimit të dy automjeteve të vjedhura dhe disa bidonëve me benzinë, të fshehura në zonën e Babicës së Madhe.

Kontrollet u kryen pas informacioneve të siguruara më herët, që ngritën dyshime se automjetet mund të përdoreshin për një ngjarje të rëndë. Gjatë kërkimeve në terren, mjetet u gjetën të fshehura në një sipërfaqe me ullinj, larg rrugëve kryesore.

Bëhet fjalë për një automjet tip “Nissan” dhe një “Audi Q5”, të dy me targa të huaja. Pranë tyre u gjetën edhe tre bidonë me benzinë, çka forcon dyshimet se mjetet mund të përdoreshin për veprimtari kriminale.

Automjetet janë sekuestruar dhe po kontrollohen për gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e personave të përfshirë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur se kush i ka fshehur mjetet dhe për çfarë qëllimi do të përdoreshin.