PREDIKONTE JEHOVAH-IN NË KLASË/ Psikologët: Mesazhet fetare mund të shkaktojnë hutim e frikë te fëmijët

Një mësues i gjuhës angleze në një shkollë të arsimit bazë në Tiranë është pushuar nga puna, pasi dyshohet se ka predikuar fenë e Jehovah-it gjatë orëve mësimore. Rasti ka shqetësuar ekspertët e arsimit dhe psikologët të cilët e denojnë rastin dhe kërkojnë kontrolle në sistemin arsimor.

Një rast shqetësues është regjistruar në një shkollë të arsimit bazë në Tiranë, ku një mësues i gjuhës angleze është pushuar nga puna, pasi dyshohet se ka predikuar fenë e Jehovah-it gjatë zhvillimit të orëve mësimore me nxënësit.

Sipas prindërve, mësuesi ka përdorur shprehje dhe mesazhe me përmbajtje fetare dhe pas ankesave të depozituara, autoritetet kanë vendosur pushimin nga puna të mësuesit.

Për pedagogen Nora Malaj, institucionet arsimore duhet të jenë një hapësirë neutrale, ku nxënësit edukohen mbi baza shkencore dhe akademike, pa ndikime fetare, politike apo ideologjike.

Malaj për Ora News shton se arsimi publik në vend është laik dhe i mbështetur në Kushtetutë, dhe çdo shkelje e këtij parimi cenon të drejtën e prindërve për të zgjedhur edukimin fetar të fëmijëve të tyre jashtë shkollës.

Nga ana gjetër psikologët e konsiderojnë përfshirjen e mesazheve fetare në procesin mësimor si të dëmshme për zhvillimin emocional, pasi fëmijët në këto mosha nuk kanë aftësinë e nevojshme kritike për të dalluar bindjet personale nga informacionet e ndryshme, çka mund të shkaktojë frikë, hutim apo ndjenjë faji.