EMRI/ Mashtrim fiskal me 150 mln lekë shitje fiktive, arrestohet biznesmeni 45-vjeçar
45-vjeçari Gjergji Fela është arrestuar në Tiranë, pasi ka ndërtuar një skemë mashtrimi me fatura fiktive, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej rreth 62 milionë lekësh.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Policinë e Shtetit, Gjergji Fela ka përdorur subjektin tregtar “Dorina Fela”, në emër të bashkëshortes së tij, për të kryer shitje fiktive në vlerën rreth 150 milionë lekë.
Përmes faturave të rreme dhe deklarimeve të pavërteta, ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme kredi të TVSH-së dhe ka ulur artificialisht fitimin e deklaruar, duke shmangur pagesën reale të taksave. Kjo skemë ka dëmtuar drejtpërdrejt financat publike dhe të ardhurat e shtetit.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Gj.F. ka pasur rol drejtues në këtë veprimtari, duke organizuar dhe menaxhuar skemën mashtruese përmes biznesit të regjistruar në emër të bashkëshortes.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, si dhe për të dokumentuar plotësisht të gjithë skemën dhe pasojat financiare të saj.

