PËR MBETJET DO TË PAGUHET / Nga paketimi te riciklimi, ja si do ndryshojnë rregullat për biznesin

Përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit pritet të ndryshojë mënyrën se si bizneset shqiptare do të menaxhojnë mbetjet. Ligji i ri, i cili hyn në zbatim të plotë deri më 1 dhjetor 2026, synon që kostot e menaxhimit të mbetjeve të mos mbeten më vetëm mbi bashkitë dhe taksapaguesit .Ligji parashikon që bizneset të kenë përgjegjësi financiare, organizative dhe informuese si dhe do të duhet të mbajnë të dhëna të sakta mbi llojin dhe sasinë e produkteve që hedhin në treg.

Bizneset shqiptare do të përballen me një mënyrë të re përgjegjësie për produktet që hedhin në treg.

Ligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, pjesë e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, që pritet të hyjë në fuqi në dhjetor të 2026 synon që menaxhimi i mbetjeve të mos mbetet më barrë vetëm e bashkive dhe taksapaguesve.

Sipas ekspertit të ekonomisë qarkulluese, Konalsi Gjoka ky ligj prek drejtpërdrejt prodhuesit dhe importuesit, veçanërisht në sektorin e paketimit, pajisjeve elektrike dhe elektronike.  

Bizneset do të kenë detyrimin të mbajnë të dhëna të sakta për sasinë dhe llojin e produkteve që vendosin në treg, si dhe të paguajnë tarifa që lidhen drejtpërdrejt me impaktin mjedisor.

Ligji parashikon tri forma zbatimi: individualisht, përmes skemave kolektive ose duke u bërë pjesë e shoqërive të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, të cilat bashkëpunojnë me bashkitë dhe kompanitë e riciklimit.

Sipas ekspertit, përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit nuk duhet parë si kosto shtesë, por si një investim për konkurrueshmërinë dhe aksesin e bizneseve shqiptare në tregun europian.