Uashington, Xhixho në takim me kongresmenin Robert Aderholt: Forcim i mëtejshëm i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së

Deputetja dhe njëherësh Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka zhvilluar një sërë takimesh në Kongresin Amerikan.

NJOFTIMI I XHIXHOS

Në Kongresin Amerikan, u takova me kongresmenin Robert Aderholt, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë bisedës, shpreha shqetësimin për ndikimin e karteleve të drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri, si edhe theksova rëndësinë që ka përkushtimi i SHBA-së për ta vendosur luftën kundër tyre në krye të axhendës së sigurisë. Po ashtu, ngrita shqetësimin për përdorimin e drejtësisë nga qeveria si mjet për të luftuar kundërshtarët politikë.

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Europian, duhet të fokusohet në reforma reale që forcojnë sigurinë, demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet kyç dhe duhet të forcohet mbi bazën e prioriteteve të përbashkëta.