VIDEO/ 32 mjekë dhe 312 infermierë të angazhuar në shërbimet onkologjike në spitale

Shërbimi Onkologjik në Shqipëri përbën një hallkë të rëndësishme të sistemit shëndetësor, duke ofruar diagnostikim, trajtim dhe ndjekje për pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MShMS) bën me dije se shërbimet onkologjike ofrohen në 8 spitale rajonale, si edhe nga Qendra Shëndetësore e Shërbimit Onkologjik në Banesë, Tiranë.

Sipas MShMS, këto struktura sigurojnë trajtim dhe ndjekje të vazhdueshme për pacientët, përmes shërbimeve të specializuara onkologjike, përfshirë kimioterapinë dhe kujdesin paliativ.

Në njoftimin e MShMS thuhet se “32 mjekë dhe 312 infermierë janë çdo ditë në gatishmëri ndaj nevojave të pacientëve, duke ofruar kujdes profesional, mbështetje, dhe ndjekje të personalizuar gjatë gjithë rrugëtimit të trajtimit”.

Ky shërbim ofron trajtime të specializuara si kimioterapia, radioterapia, terapitë hormonale, si dhe kujdesin paliativ për pacientët në stadet e avancuara të sëmundjes. Krahas kësaj, funksionojnë edhe shërbime mbështetëse si imazheria, anatomia patologjike dhe laboratorët e specializuar, të domosdoshëm për diagnostikim të saktë.