PAMJE/ Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit në kulturën shqiptare

U mbajtën sot në mjediset e teatrit “ArtTurbina” në Tiranë homazhet në nderim të aktorit Fitim Makashi i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 82-vjeçare.

Personalite të kinemasë, teatrit e jetës publike sikundër edhe miq e dashamirës të artit nderuan kujtimin e tij dhe trashëgiminë për artin dhe kulturën shqptare.

Në ceremoni, familjarët mes te cilëve djali i aktorit, këngëtari Redon Makashi shprehën falënderimin për të pranishmit.

Duke folur për gazetarët për ndarjen nga jeta të të atit, Redon Makashi u shpreh se prania e miqve dhe të afërmve të babait ia lehtëson sadopak dhimbjen ndërsa tregoi se Fitim Makashi ndihej më mirë në vendin e vet, mes miqve të tij, pavarësisht se shkoi në SHBA për të ndjekur ëndrrën e tij.

PAMJE/ Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit

“Brezi i tim eti ka qenë një brez që nuk kthehet më. Sinqeriteti i tyre dhe shoqëria e tyre. Ai në shtëpi fliste edhe për miqtë e tij, por edhe për miqtë e tij që kishin shkuar para tij. Babai u shkëput herët nga teatri, sepse ndodhën trazirat dhe në atë periudhë. Si nëna dhe babai u detyruan të iknin në Amerikë për 15 vite. Dhe sa herë i shihja që ktheheshin nga ai vend, ktheheshin gjithmonë e më të plakur. Edhe i thoja që të rrinin në Shqipëri, sepse këtu i kishin shokët e miqtë. Nuk ishte e lehtë jeta jashtë. Gjithsesi sot kur shoh shokët e tij, ma lehtëson pak dhimbjen. Por është dhimbje e pashërueshme”, tha mes të tjerash Makashi.

PAMJE/ Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit

Aktorja Rajmonda Bulku, pas homazheve e përshkroi Fitim Makashin si një njeri me karakter, luftarak dhe brilant në profesionin e tij.

PAMJE/ Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit

“Ashtu siç kishte rolet e tij xheneroze, ashtu ishte edhe në jetë. Një Fitim që do ta kujtojmë gjithmonë. Gjithmonë luftoi që në ato ambientet e teatrit të kishte një palestër që aktorit i duhej. Ishte edhe luftarak me heshtjen dhe mençurinë e tij.

Pra një njeri i përkushtuar në profesion, një partner i shkëlqyer, shumë xheneroz. Aktor brilant i karaktereve të ngrohta. Fitimi krijonte një karakter që e mbaje mend, nuk e harroje”, tha Bulku.

Ndërsa për aktorin Mehdi Malkaj, Fitim Makashi ishte një njeri në kuptimin e plotë të fjalës.

“Iku një njeri që në kuptimin e plotë të fjalës ishte njeri”, tha Malkaj.

Fitim Makashi u shua si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ai vuante nga demenca dhe së fundmi kishte kryer edhe një operacion që i kishte përkeqësuar gjendjen shëndetësore.

Makashi la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në filma të njohur që nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’90.

Midis filmave ku luajti përfshihen: “Dueli i heshtur” (1967), “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992).

Interpretimet e tij u dalluan për karakter të fortë dhe prani të veçantë artistike, duke e bërë pjesë të rëndësishme të brezit që ndërtoi identitetin e kinemasë shqiptare.

Përveç karrierës si aktor, Fitim Makashi kontribuoi si pedagog, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të artistëve shqiptarë.