Orkestra Simfonike sjell koncertin “Meditim” në nder të Ferdinand Dedës

Orkestra Simfonike e RTSH-së do të sjellë një mbrëmje të veçantë muzikore në nder të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar, Ferdinand Deda, një nga figurat më përfaqësuese të muzikës së kultivuar shqiptare.

Mbrëmja koncertore, e titulluar “Meditim”, do të zhvillohet në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, hapësirë që mban emrin e tij dhe ku krijimtaria e kompozitorit rikthehet simbolikisht aty ku kujtesa artistike vijon të jetojë dhe të rezonojë përmes tingujve.

Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së, me soliste Merita Rexha Tershana në piano, do t’i ofrojë publikut një udhëtim në universin krijues të Ferdinand Dedës, duke sjellë vepra që pasqyrojnë ndjeshmërinë, finesën dhe identitetin e tij muzikor.

Koncerti përbën një homazh për kontributin e vyer të Dedës në zhvillimin e muzikës simfonike dhe edukimin artistik në Shqipëri, si dhe një vlerësim për trashëgiminë e tij që vijon të frymëzojë breza muzikantësh dhe artdashësish.

Mbrëmja “Meditim” synon jo vetëm të nderojë figurën e kompozitorit, por edhe të riafirmojë rolin e RTSH-së si një institucion që ruan, promovon dhe përcjell vlerat më të mira të kulturës dhe muzikës shqiptare.

Orkestra Simfonike sjell koncertin “Meditim” në nder të