MOTI I KEQ, 28 VIKTIMA NË JAPONI/ Raportohet reshje bore mbi një metër në veri të vendit
Reshjet më të rënda të borës në vitet e fundit kanë goditur veriun e Japonisë, duke sjellë pasoja të rënda njerëzore dhe materiale. Në Sapporo dhe zona të tjera të Hokkaidos ka rënë mbi një metër dëborë, niveli më i lartë që nga viti 2022. Autoritetet raportojnë të paktën 28 viktima dhe ndërprerje të mëdha të transportit.
28 viktima dhe rreth 300 të tjerë në gjendje të rëndë është bilanci paraprak i reshjeve rekord të borës që kanë goditur pjesët veriore dhe verilindore të Japonisë, duke krijuar një situatë emergjente në disa prefektura të vendit.
Sipas autoriteteve lokale, trashësia e dëborës ka kaluar një metër në disa zona, ndërsa qyteti i Sapporos në prefekturën Hokkaido renditet ndër më të prekurit. Kushtet ekstreme të motit kanë vështirësuar ndjeshëm jetën e përditshme dhe lëvizjen e banorëve.
Prefektura Niigata raporton 12 viktima, Akita tetë dhe Hokkaido pesë. Shumica e humbjeve të jetës lidhen me aksidente gjatë pastrimit të borës, kryesisht rënie nga çatitë, si dhe përkeqësime të papritura të gjendjes shëndetësore gjatë punës në kushte të rënda.
Autoritetet bëjnë me dije se në bilancin e viktimave përfshihen edhe persona me sëmundje kronike, të cilëve moti ekstrem u ka shkaktuar ndërlikime serioze shëndetësore. Shërbimet e emergjencës vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga reshjet intensive.
Meteorologët paralajmërojnë se situata pritet të përkeqësohet në ditët në vijim. Në Niigata parashikohen deri në 70 centimetra dëborë shtesë, ndërsa në rajonet verilindore të Honshus deri në 50 centimetra.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar gjithashtu anulime fluturimesh dhe ndërprerje të transportit publik, duke shtuar shqetësimet për pasojat afatshkurtra dhe afatmesme të kësaj vale të ashpër dimërore.

