Izraeli pranon për herë të parë mbi 71 mijë viktima palestineze në Gaza

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se gjatë luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës kanë humbur jetën mbi 71 mijë qytetarë palestinezë, shifër e raportuar prej kohësh nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, kjo është hera e parë që autoritetet izraelite njohin publikisht të dhënat e institucioneve shëndetësore në Gaza, të cilat më parë ishin hedhur poshtë nga Tel Avivi zyrtar si të pabesueshme dhe të motivuara politikisht.

Ministria Palestineze e Shëndetësisë bën me dije se që nga nisja e ofensivës izraelite më 7 tetor 2023 janë regjistruar 71.667 viktima.

Ushtria izraelite thekson se kjo shifër nuk përfshin personat e zhdukur, për të cilët dyshohet se ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Ndërkohë, autoritetet palestineze raportojnë se të paktën 492 persona kanë humbur jetën që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025.

Nga ana tjetër, Izraeli njofton për vdekjen e katër ushtarëve si pasojë e sulmeve të grupeve militante palestineze.

Pas publikimit të artikullit në Haaretz, një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite refuzoi të komentojë më tej, duke theksuar se çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm përmes kanaleve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.