Medalje ari për prodhuesin shqiptar të vajit të ullirit në panairin Gulfood 2026 në Dubai
Produktet “Made in Albania” po vijojnë të shënojnë sukses në skenën ndërkombëtare, duke u prezantuar me dinjitet në një nga panairet më të mëdha globale të ushqimit dhe pijeve, Gulfood 2026, që po zhvillohet në Dubai.
Prej disa ditësh, kompanitë shqiptare janë aktive në panair dhe aktualisht ndodhen në ditën e tretë të ekspozimit, duke tërhequr interes të konsiderueshëm nga blerës, distributorë dhe vizitorë profesionistë nga Lindja e Mesme, Azia, Evropa dhe Amerika e Veriut.
Pjesëmarrja në Gulfood ofron një platformë unike për prezantimin e produkteve shqiptare, veçanërisht në sektorin agroushqimor, duke krijuar mundësi konkrete për bashkëpunime tregtare dhe hyrje në tregje të reja.
Nje prej kompanive shqiptare përfaqësuese në panair, Musai Olive Oil është vlerësuar me medalje ari në Dubai në konkursin “Olive Oil Competition”, një nga konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare të vajit të ullirit, ku marrin pjesë prodhues nga e gjitha vendet që ekspozojnë në Gulfood.
Menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri, bëri të ditur se ky vlerësim konfirmon cilësinë e lartë të vajit të ullirit shqiptar dhe rrit më tej profilin e Shqipërisë si vend prodhues i produkteve premium.

Gjatë panairit, stenda e Shqipërisë është vizituar edhe nga përfaqësues të qeverisë së Dubait dhe institucioneve lokale, duke reflektuar interesin në rritje për produkte autentike, të certifikuara dhe me origjinë të qartë nga rajone me potencial bujqësor si vendi ynë.
Gulfood mbledh çdo vit mbi 5,000 ekspozues nga më shumë se 120 vende dhe tërheq mbi 150,000 vizitorë profesionistë, duke u konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë ushqimore.
Sipas Beqirit, prania e kompanive shqiptare në këtë panair përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të markës “Made in Albania” dhe rritjes së eksporteve në tregje me vlerë të lartë.
“Suksesi i Musai Olive Oil dhe interesi i tregut për produktet shqiptare në Gulfood dëshmojnë se investimi në cilësi, standarde ndërkombëtare dhe promovim të qëndrueshëm po sjell rezultate konkrete, duke e pozicionuar Shqipërinë gjithnjë e më fuqishëm në hartën globale të produkteve agroushqimore”, u shpreh menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri.

