NË DOGANË “PA LETRA”/ Ministria e Financave: Do 't'ju jepet fund' dokumentave fizike, krijimi i një platforme online
Bizneset që merren me import, eksport dhe transit mallrash do të kenë së shpejti një mënyrë krejt tjetër për të kryer procedurat doganore pa shkuar nga nje zyre ne tjetren.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar për konsultim publik projektligjin ‘Për krijimin dhe funksionimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat’ i cili synon t’i japë fund dokumenteve fizike dhe te krijoje nje platforme te vetme online per dorëzimin e tyre
Ky ndryshim prek drejtpërdrejt çdo biznes që merret me import, eksport dhe transit, nga tregtarët e ushqimeve, kompanitë e barnave, elektronika, ndërtimi e deri te prodhuesit që eksportojnë jashtë vendit
Sipas dokumentit shoqërues, funksionimi i kësaj platforme do të sjellë përfitime per biznesin duke përfshirë ulje të ndjeshme të kohës së zhdoganimit, reduktim të kostove, minimizim të korrupsionit dhe të kontakteve fizike.
Sistemi do të integrojë të gjitha autoritetet kompetente që lëshojnë leje, licenca apo certifikata jodoganore, si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, shëndetësia, bujqësia, mjedisi, policia kufitare dhe institucione të tjera. Këto struktura do të shkëmbejnë të dhëna në kohë reale me doganat, përmes një platforme të vetme
Një element thelbësor i projektligjit është mbrojtja e të dhënave personale dhe tregtare. Parashikohet që të dhënat të përpunohen vetëm për qëllime ligjore, të mos ruhen përmbajtjet e dokumenteve, por vetëm gjurmët teknike të shkëmbimit.
Nga ana financiare, sistemi mbështetet nga një kredi prej 17.6 milionë euro nga Banka Botërore, ndërsa vetëm kontrata për ndërtimin teknik të platformës kap vlerën 3.5 milionë euro.
Finalizimi teknik i sistemit pritet të nisë në janar 2026 dhe zbatimi i plotë do të shtrihet deri në vitin 2027. Gjatë kësaj periudhe, institucionet do të harmonizojnë legjislacionin dhe procedurat e tyre për t’u integruar në mjedisin e ri digjital
Me këtë projektligj, Shqipëria synon të kalojë nga doganat tradicionale me dokumente fizike në një doganë moderne, digjitale dhe të ndërveprueshme me BE.

