“Nuk janë të sëmurë, janë kriminelë” - Avokati kërkon dënim me vd*kje për abuzuesit me fëmijët

Dy ngjarje të rënda të dhunës në familje kanë tronditur opinionin publik, duke nxjerrë në pah një realitet të hidhur dhe duke ndezur një debat të ashpër mes ekspertëve mbi shkaqet, përgjegjësitë dhe zgjidhjet e nevojshme.

Plagosja me thikë e një vajze të re nga i ati dhe abuzimi i dyshuar për vite me radhë i një fëmije 12-vjeçar nga partneri i nënës së tij, janë krimet që kanë vënë në lëvizje diskutimin për dështimin e institucioneve, shoqërisë dhe vetë bërthamës së familjes.

Në një diskutim në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, ekspertët Bona Meakley dhe Roland Islami kanë paraqitur këndvështrime të ndryshme mbi fenomenin.

Islami argumentoi se për krime kaq të rënda ndaj të miturve, përgjigjja e vetme duhet të jetë ekstreme.

"Në Shqipëri mungon dënimi me vdekje, por për ata që prekin të miturit, duhet të rikthehet," tha avokati, duke shtuar se pedofilia nuk mund të justifikohet me probleme të shëndetit mendor, pasi autorët janë plotësisht të përgjegjshëm për veprat e tyre.

Debati mes dy ekspertëve nxori në pah kompleksitetin e problemit.

Ndërsa psikologia këmbëngulte në analizimin e historisë dhe shëndetit mendor të dhunuesit për të kuptuar rrënjët e sjelljes kriminale, avokati e kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se aktet e tilla janë zgjedhje të vetëdijshme dhe duhen ndëshkuar me forcën maksimale të ligjit.

Islami fajësoi indoktrinimin nga faktorë të jashtëm dhe shkatërrimin e kodeve morale tradicionale për rritjen e këtyre fenomeneve, duke kërkuar përgjegjësi të plotë penale, pa zbutje.

Të dyja rastet shërbejnë si një alarm i fuqishëm për nevojën urgjente të një ndërhyrjeje të gjithanshme, që nga forcimi i ligjit dhe institucioneve mbrojtëse, deri te ndërgjegjësimi dhe edukimi brenda familjes dhe shoqërisë për të parandaluar që tragjedi të tilla të përsëriten.

DEBATI

Roland Islami: Tani mos, se psikopati vjen te kjo çështje se, po prit mo, se po të jetë i papërgjegjshëm, po të jetë i papërgjegjshëm, ai i shpëton, ai po të jetë i papërgjegjshëm i shpëton dhe burgut, po nuk ka qenë i papërgjegjshëm. Është tjetër gjë të thuash që është i papërgjegjshëm dhe kemi probleme me shëndetin mendor. Na e merr shëndetin mendor si tabu, ne aspak... Është tjetër gjë të thuash ti që është i papërgjegjshëm personi në fjalë, është tjetër gjë të thuash që ai ka mendime kafshërore, sepse këto mendimet kafshërore, epsh ndjellëse janë të indoktrinuara nga jashtë dhe jo për shkak të sjelljes së tij të brendshme. Pra ai zotëria nuk e ka këtë për shkak se është psikopat nga truri dhe është i papërgjegjshëm. Ai është krejtësisht i përgjegjshëm, ai është krejtësisht i përgjegjshëm, e ka bërë me vullnet të vetin atë, e ka bërë se i ka dashur truri i atij ta bëjë dhe ai për mendimin tim, në Shqipëri mungon dënimi me vdekje, por ato që prekin të miturit duhet të rikthehet dënimi me vdekje sepse atë fëmijë ti e ke shkatërruar për gjithë jetën e vet dhe ti duhet ta paguash atë jetë me një jetë tjetër. Dhe nuk e paguan dot jetën nuk e paguan dot. Dhe jeta e asaj fëmije nuk mund të, nuk mund të paguhet me asnjë lloj, nuk mund të zëvendësohet me asnjë lloj vlere dhe ti s'mund të më thuash mua që ka probleme me shëndetin mendor dhe ne, unë jam shumë dakord me këtë që ne na mungon ligji për shëndetin mendor. Por të tillë njerëz janë të përgjegjshëm për veprimet që kanë bërë, i kanë bërë me dashje direkte madje dhe i ka bërë dhe madje ai ka shkuar deri atje saqë ka mashtruar nënën e asaj vajze vetëm për t'u gjendur afër asaj femrës së vogël, asaj të miturës. Këto janë pedofila dhe pedofilia nuk është në asnjë vend në ligj të botës, nuk është papërgjegjshmëri. Pedofilia nuk është papërgjegjshmëri dhe nuk mund të më thuash mua që kemi probleme me shëndetin mendor sepse vetëm i papërgjegjshëm... Ajo është, unë them vetë që ka probleme, ka probleme Shqipëria me ligjin për shëndetin mendor dhe kemi sa të duash njerëz të papërgjegjshëm në qarkullim. Por nuk e mbron dot ti atë, atë kriminelin atje, që ka bërë atë lloj veprimi me shëndetin mendor. Nuk e mbron dot.

Sonila Musai: Për rastin e abuzuesit...

Roland Islami: Për abuzuesit, për abuzuesit, nuk është i çmendur, nuk është absolutisht i çmendur.

Sonila Musai: 12-vjeçares, se kisha dhe një pyetje.

Roland Islami: S'është i çmendur. Jo, ai nuk është i çmendur.

Bona Meakley: Ai ka probleme të pjesës emocionale, të pjesës psikologjike, por nuk është i çmendur.

Roland Islami: Çfarë më duhen mua çfarë probleme ka? Ai të ketë çfarë problemesh të dojë ai. Ai për veprimin që ka bërë duhet të kishte një dënim me vdekje por nuk e ka dhe të rrijë përjetë në burg atje.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”