Meta ndërhyn: Profile të mediave dhe OJQ-ve në Serbi pezullohen përkohësisht
Profile të reja në Instagram, pa ndjekës dhe me pak postime.
Kështu dukeshin gati të gjitha profilet në këtë rrjet social, që ndoqën në mënyrë të koordinuar, brenda një periudhe të shkurtër, mediat kritike dhe organizatat joqeveritare në Serbi.
Pas kësaj, llogaritë e këtyre të fundit në këtë platformë u pezulluan përkohësisht.
Një analizë e Radios Evropa e Lirë tregon se bëhet fjalë për ndjekës të rremë. Shoqatat e gazetarëve dhe organizatat civile dyshojnë se ky është një veprim i qëllimshëm, për të kufizuar shtrirjen e mediave që nuk kontrollohen nga autoritetet.
Më 18 janar, llogaritë në Instagram të më shumë se njëzet mediave, organizatave dhe individëve në Serbi u pezulluan ose u mbyllën, pas një rritjeje të papritur të ndjekësve brenda një periudhe të shkurtër.
Kompania Meta, pronare e Instagram-it dhe Facebook-ut, e interpreton këtë si aktivitet të dyshimtë - gjë që çon në pezullimin ose mbylljen përfundimtare të llogarive.
“Ky është një rast i paprecedentë, sepse, në të njëjtën kohë, u prekën shumë llogari të aktorëve të ndryshëm - nga mediat dhe fotoreporterët deri tek organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bojan Perkov nga Fondacioni Share në Serbi, që merret me sigurinë digjitale.
Sipas tij, është problematike që Meta e moderon përmbajtjen në mënyrë mekanike dhe shpesh reagon ndaj llogarive që nuk i shkelin rregullat - gjë që ndodhi edhe në këtë rast.
Shumica e profileve që u mbyllën ose u pezulluan më 18 janar, u riaktivizuan një ditë më vonë.
Radio Evropa e Lirë pyeti Prokurorinë për Krime të Teknologjisë së Lartë në Serbi nëse po heton mbylljen e llogarive të mediave dhe organizatave civile në rrjetet sociale, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Nga kompania Meta konfirmuan për REL-in se ekipet e saj i kanë rikthyer llogaritë që u pezulluan gabimisht. Po ashtu, thanë se po punojnë për të identifikuar masa që do të parandalojnë gjëra të ngjashme në të ardhmen.