SULMI I INTER “OK”, PORTA SHQETËSON / Zikaltrit pësojnë më shumë gola se rivalët direkt Statistikat nxjerrin në pah vështirësitë e Sommer

Interi kryeson Serie A dhe shkëlqen në fazën sulmuese, por shifrat e golave të pësuar dhe rënia e rendimentit në portë po kthehen në një problem real në garën për titull dhe Champions League.

Interi kryeson Serie A dhe ka sulmin më të mirë të kampionatit, por paradoksalisht është edhe skuadra që ka pësuar më shumë gola mes gjashtë ekipeve të para të renditjes, të përfshira në garën për titull dhe për zonën Champions. Zikaltrit kanë pësuar 19 gola në 22 ndeshje kampionati, një shifër që ngre pikëpyetje mbi ekuilibrin defensiv të skuadrës.

Nëse krahasohen të dhënat me sezonin e kaluar, situata duket edhe më problematike. Duke përfshirë edhe ndeshjet e Champions League, Interi këtë sezon ka pësuar 26 gola, ndërsa në të njëjtën fazë të sezonit të kaluar kishte pësuar vetëm 22. Një rritje që nuk mund të anashkalohet, sidomos për një skuadër që synon titullin.

Në qendër të vëmendjes ka përfunduar portieri Sommer. Edhe pse jo çdo gol mund t’i faturohet atij, rënia e rendimentit të zviceranit është e dukshme edhe në statistika.

Sipas të dhënave, Sommer renditet i 19-ti në Serie A për “gola të shmangur”.

Trajneri Cristian Chivu ka dalë disa herë në mbrojtje të portierit të tij, përfshirë edhe pas ndeshjes ndaj Pizës, ku gabimi në golin e pësuar u justifikua si pasojë e kërkesave taktike dhe jo e një faji individual.

Pavarësisht kritikave, Sommer pritet të jetë titullar edhe në përballjen vendimtare të Champions League ndaj Borussia Dortmund.

Mungesa e Josep Martinez për shkak dëmtimi ka kufizuar alternativat, por edhe me rikthimin e tij, Chivu duket i prirur të mos bëjë ndryshime drastike menjëherë, për të mos ndikuar negativisht në moralin e portierit zviceran. Megjithatë, ndjesia është se deri në fund të sezonit, Martinez do të ketë më shumë hapësira.

Me Sommer në skadencë kontrate në fund të sezonit dhe pa perspektivë rinovimi, çështja e portës mbetet e hapur për Interin, mes emrash të përfolur dhe shpresës së Martinez për të bindur drejtuesit deri në qershor.